Klubi nga Superliga e Kosovës, Malisheva ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me sulmuesit e njohur Xhevdet Shabani, i cili është transferimi i tretë në afatin kalimtar të janarit.

Malisheva ka vazhduar me përforcime në afatin kalimtar të janarit, pasi kanë konfirmuar një prurje të re pas Labinot Ibrahimit dhe Fidan Gërbeshit.

“Xhevdet Shabani është një nga përforcimet e radhës në klub deri më tani. Shabani la FC Prishtinën për t’u bërë pjesë e klubit tonë për pjesën e mbetur të këtij edicioni garash”.

“Në Superligën e Kosovës, për disa vite radhazi, Shabani ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur të kampionatit, dhe ardhja e tij në FC Malisheva do të jetë një përvojë e veçantë për klubin tonë”, thuhet në njoftimin e Malishevës.

Ndryshe, Shabani karrierën si futbollist e filloi me Lepencin e Ferizajn për të kaluar te Drita e më pas duke lënë kampionatin e Kosovës ku u transferua te Teuta e Durrësit për sezonin 2014-2015.

Pas një sezoni të mirë në Kampionatin shqiptar, Shabani nënshkroi me Feronikelin, luajti edhe për Besën dhe së fundmi ishte pjesë e FC Prishtinës./TV Malisheva

Share.