Skuadra e Prishtinës përmes një komunikate e ka konfirmuar se e ka emëruar zyrtarisht Debatik Currin si trajner të klubit.
Curri morri drejtimin e Prishtinës në rolin e trajnerit të përkohshëm, por si duket i ka bindur krerët e klubit kryeqytetas që ta drejtojë skuadrën edhe sezonin e ardhshëm, raporton KosovaPress.
“Ish-futbollisti jonë, që nga kategoritë e reja, si lojtar kishte fituar titullin e kampionit, kurse trofeun e Kupës e arriti si ushtrues detyre i kryetrajnerit. Curri, 39 vjeç, futbollist me përvojë të madhe ndërkombëtare, trajner i skuadrës që nga viti 2018, ka bindur krerët e klubit për t’i dhënë përgjegjësinë e madhe që edhe zyrtarisht t’i prijë skuadrës më të madhe në vend. “, shkruante në komunikatën e Prishtinës.
“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin e zemrës, FC Prishtina. Vendimin për emërimin si kryetrajner, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, është privilegj për mua. Kjo më jep përgjegjësi që të vazhdoj t’i ushtrojë detyrat e mija të plota që këto suksese t’i përsërisë edhe në edicionin e ri”, tha tanimë trajneri i Prishtinës, Curri.
Curri me Prishtinën arritën ta fitojnë Kupën e Kosovës, pasi që në finale e mposhtën Gjilanin 2:0.
/TV Malisheva