Sebastian Vettel dhe Ferrari kanë vendosur t’i japin fund negociatave për zgjatjen e kontratës dhe në këtë mënyrë, piloti gjerman do të largohet në fund të vitit 2020 nga skuadra italiane.
Kishte disa muaj që përflitej për vështirësitë në negociata mes Ferrarit dhe 4 herë kampionit të botës në F1, madje në mediat sportive thuhej se skuadra e kuqe kishte gati edhe zëvendësuesin: spanjollin Carlos Sainz.
Lajmin e ka konfirmuar vet piloti gjerman 4 herë kampion bote në këtë sport, që tha se nuk ka arritur një marrëveshje për të vijuar bashkëpunimin me “kokëkuqen”, ndërsa në të njëjtën kohë garantoi angazhim maksimal deri në fund të vitit.
“Marrëdhënia ime me skuadrën e Ferrarit do të përfundojë në fund të vitit 2020. Në mënyrë që të arrijmë rezultatet më të mira në këtë sport, është e domosdoshme që palët të punojnë në harmoni perfekte. Skuadra dhe unë arritëm në konkluzionin që nuk duam të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe përtej këtij sezoni dhe aspekti financiar nuk ka luajtur asnjë rol në këtë çështje”, tha ndër të tjera Sebastian Vettel.
Më pas piloti gjerman zbuloi se disa gjëra që kishin ndodhur gjatë muajve të fundit, kishin ndikuar qartësisht në vendimin që palët të mos rinovojnë bashkëpunimin dhe teksa falënderoi të gjithë anëtarët e skuadrës, nuk ngurroi t’i ftojë për të provuar të kalojnë të tjera momente të suksesshme së bashku.
Vettel ka kaluar 5 vite te Ferrari dhe në asnjë prej tyre nuk ka arritur të përsërisë sukseset që ka pasur te Red Bull.
Për Vettel, ky do të jetë viti i fundit si pilot i Ferrarit dhe nuk dihet ende nëse do të vijojë karrierën në F1 pas këtij viti apo do të tërhiqet përfundimisht./Tv Malisheva