Anëtarë të kabinetit qeveritar kanë reaguar ndaj pretendimeve të ish-Kryeministrit, Hoti se fondi sovran i Kosovës i cenon parimet e ekonomisë së tregut dhe rendit demokratik. Sipas Besnik Pulës, këshilltar i kryeministrit Kurti, vlerësimet dhe pohimet e ish-kryeministrit, Hoti nuk qëndrojnë. Për më tepër “fondet sovrane kanë prani në të gjitha kontinentet.

Institucione të tilla posedojnë vendet e zhvilluara si Austria, Irlanda, Korea e Jugut, Turqia, Singapuri e Sllovenia, e vende në zhvillim si Etiopia e Botsuana. Fondet sovrane figurojnë pranë qeverive e pushteteve të të gjitha ngjyrave, llojeve, e kategorive, demokratike e jo-demokratike, liberale e jo-liberale, më shumë e më pak të pasura, me e pa burime natyrore, me një gjeografi që vijon rreth globit nga Zelanda e Re deri te Panamaja.

Në këtë reagim, këta zyrtarë kanë deklaruar se nuk e dinë se në çfarë analiza aludon Hoti. Shtojnë se analizat e tyre kanë dëshmuar të kundërtën, ashtu siç dëshmojnë studimet e shumta ndërkombëtare që janë bërë mbi efektet e fondeve sovrane në vendet që kanë adoptuar institucione të tilla.

Sipas tyre, është pikërisht kuadri aktual ligjor që i mundëson Qeverisë kontroll mbi NP-të, duke shtuar se kjo mundësohet përmes kontrollit të bordeve dhe tendencës së emërtimit të bordeve politike e profesionalisht të pakualifikuara, që NP-të i kthejnë në çerdhe të patronazhit politik.

“Kjo është strategji që për z. Hoti duhet të jetë e njohur nga koha kur ai dhe partia e tij kanë qenë në pushtet. Është pikërisht shmangia e kësaj tendence, që FSRK ndërtohet për të shkëputur NP-të”.

Sipas tyre, FSRK është i dizajnuar të jetë entitet i vetë-qëndrueshëm financiar.

“Ai nuk do të funksionojë si njësi buxhetore e shtetit. Andaj, argumenti se FSRK paraqet rrezik për buxhetin është gjithashtu i paqenë. Jetësimi i FSRK-së, përveç se ia mbyll shtetit të Kosovës vrimat e humbjeve financiare që për vite të tëra kanë qenë NP-të e keqmenaxhuara e pafundësisht të subvencionuara, kthen vendin në përfitues të suficiteve fiskale. Përmes Fondit Rezervë të paraparë në kuadër të FSRK-së, Kosovës i ruhet siguria fiskale. Mbrojtja e aseteve publike dhe transferi ndërbrezor i pasurisë janë funksioni primar i çdo fondi sovran. Ky, pra, do të jetë mandati themelor i FSRK-së si institucion financiar i republikës”, theksohet në reagim.

Ndërkaq theksohet se sa i përket qeverisjes së FSRK-së, ushtrimi i funksionit të aksionarit nga Kuvendi (e jo nga Qeveria) është paraparë pikërisht për të shmangur kontrollin qeveritar mbi FSRK-në.

Bëhet e ditur se me vendosjen e mbikëqyrjes së FSRK-së te Kuvendi, është paraparë përfshirja direkte të opozitës në mbikëqyrjen e FSRK.

“Projektligji i jep të drejtë direkte opozitës për qasje në pasqyrat financiare të Fondit. Habitemi që z. Hoti si deputet i opozitës nuk e çmon këtë fakt. Në vend të kësaj, ai thotë se mbikëqyrja e Fondit nga Kuvendi është instrument për kapjen e tij. Përkundrazi! FSRK nuk është institucion i dezajnuar për një mandat qeveritar, por për avancimin e interesave kombëtare ekonomike. Duke qenë kështu, ne kemi paraparë në projektligj mekanizma mbikëqyres që i japin opozitës qasje të plotë mbi informacionet më relevante për aktivitetet e FSRK-së dhe në procesin e emërimit të trupit drejtues të tij. Pushtetet dhe opozitat ndryshojnë, por FSRK është dezajnuar të jetë institucion i përhershëm shtetëror. Edhe në këtë pikë, dezajni që ne kemi propozuar për FSRK-në është vlerësuar pozitivisht nga ekspertë ndërkombëtarë, në raport me standardet e qeverisjes së mirë, në kontekstin e një vendi demokratik. Për fund, për hir të transparëncës e përgjegjësisë publike, duhet të theksojmë se z. Hoti dhe përfaqësuesve të partisë së tij u janë bërë, me ndërmjetësimin e donatorëve, disa herë ftesa për të diskutuar projektin e FSRK-së dhe për të adresuar çdo paqartësi e rezervë bashkë me grupin e ekspertëve. Partia e z. Hoti ka refuzuar çdo takim. Kritikat e z. Hoti janë, prandaj, jo vetëm të pabaza, por tashmë edhe të vona”, thuhet në reagim.

/TV Malisheva

Share.