Në SHBA, drejtori i Qendrave Federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha të mërkurën se 19 ose 20 shtete amerikane janë ndikuar pak nga koronavirusi dhe se zyrtarët e tyre besojnë se mund të jenë të gatshëm të rihapen deri më 1 maj, data e caktuar nga Presidenti Donald Trump. “Janë një numër distriktesh në SHBA që nuk kanë patur koronavirus pavarësisht testimeve,” tha Robert Redfield në një intervistë për programin “Good Morning America” të televizionit ABC.

“Janë një numër shtetesh amerikane, 19 ose 20, që në fakt kanë pasur ndikim të kufizuar. Prandaj mendoj se do të shohim disa shtete, zyrtarët e të cilëve mendojnë se janë gati. Edhe ne jemi gati t’i ndihmojmë ata për rihapjen,” tha zoti Redfield. Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi ishte të mërkurën mbi 26,000 dhe ai i të infektuarve mbi 600 mijë.

Presidenti Trump ka njoftuar se është pranë finalizimit të një plani për t’i dhënë fund mbylljes së Amerikës për shkak të koronavirusit, që ka sjellë eliminimin e miliona vendeve të punës. Ai tha se në disa zona, ekonomia mund të rifillojë edhe para 1 majit. Sipas presidentit, rreth 20 shtete janë “në formë jashtëzakonisht të mirë dhe mund të rihapen shumë shpejt.” Mbrëmë, presidenti vuri përsëri në shënjestër Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke thënë se ka udhëzuar administratën që të ndalë fondet amerikane për këtë institucion me qendër në Gjenevë për shkak të mënyrës se si e trajtoi pandeminë e koronavirusit.

Zoti Redfield nuk iu përgjigj drejtpërdrejt një pyetjeje në lidhje me vendimin e presidentit por tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe OBSH-ja kanë pasur një histori të gjatë bashkëpunimi në problemet globale të shëndetit. “Kemi pasur një marrëdhënie shumë produktive në fushën e shëndetit publik dhe vazhdojmë ta kemi,” tha ai. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave kanë hartuar një strategji për të rihapur disa zona të vendit, si pjesë e përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë, që amerikanët të kthehen në punë, njofton gazeta Washington Post.

Sipas gazetës, plani përmban tre faza: Një fushatë kombëtare komunikimi dhe vlerësim se sa të gatshme janë komunitetet për rihapjen deri më 1 maj; shtimi i fondeve të emergjencës dhe prodhimi i kompleteve të testimit apo i pajisjeve personale mbrojtëse deri më 15 maj; rihapje graduale në varësi të kushteve lokale. Por, paralajmëron dokumenti, “modelet tregojnë se një izolim 30-ditor në shtëpi, i pasuar nga një periudhë 180 ditore gjatë së cilës hiqen të gjitha masat e zbutjes, rezulton në një rritje të kurbës së rikthimit të sëmundjes, prandaj do të jetë i nevojshëm një nivel i caktuar zbutjeje derisa të arrihet vaksina ose imuniteti në shkallë të gjerë”.

Në të gjithë botën, janë mbi 126 mijë njerëz që kanë humbur jetën nga koronavirusi, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins. Por besohet se numri real është shumë më i lartë, për shkak të testimeve të pamjaftueshme, rasteve të paraportuara dhe dyshimeve se disa qeveri po i fshehin përmasat e pandemisë në vendet e tyre./Tv Malisheva

Share.