Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë ende një qëndrim zyrtar për koalicionin me LDK-në, pasi kjo e fundit po pret shterjen e rrugëve kushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë si parti e parë. Pastaj t’iu dërgojë dy partive dhe pakicave ofertën për bashkëqeverisje.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj për KosovaPress, u shpreh se momentalisht janë të orientuar rreth situatës me pandeminë, por thotë se do të shqyrtojnë çfarëdo oferte që vjen karshi tyre nga LDK-ja.
Haradinaj; Nuk kemi një qëndrim akoma për koalicionin me LDK-në
“Nuk kemi një qëndrim akoma jemi komplet të orientuar rreth situatës me pandeminë njëherë. Ajo që vjen do të shohim me kohë”, thotë ai.
Se nuk kanë marrë ende një ofertë konkrete nga LDK e thotë edhe shefi i grupit parlamentar i Nisma-AKR, Haxhi Shala.
Sipas tij, nuk ka një qëndrim zyrtar nga Nisma për mundësitë e një koalicioni të tillë.
Shala: Nisma ende nuk ka një qëndrim zyrtar për koalicionin me LDK-në
“Nisma ende nuk ka një qëndrim zyrtar. Ende nuk kemi një ofertë konkrete nga Lidhja Demokratike”, thotë Shala.
Presidenti, Hashim Thaçi i ka dërguar dy letra fitueses së zgjedhjeve të vitit të kaluar, Lëvizjes Vetëvendosje për të dërguar mandatarin tjetër pas rrëzimit të qeverisë Kurti.
Por kjo e fundit ende nuk e ka bërë këtë, derisa thonë se në momentin e duhur do t’i përgjigjen presidentit. Për këtë çështje, njohësit e kushtetutës janë shprehur se nuk ka një afat për dërgimin e mandatarit nga partia fituese tek presidenti.
Partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti pas rrëzimin në Kuvendin e Kosovës është duke kërkuar zgj edhje të reja të parakohshme. Derisa partitë tjera, në krye me LDK-në po insistojnë formimin e një qeverie pa zgjedhje të reja.
Ndërkohë gjatë ditës për KosovaPress, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa konfirmoi se ka kërkuar nga Këshilli i Përgjithshëm aprovimin për një koalicion të mundshëm me AAK-në dhe Nisma-AKR-në. Por sipas tij, konkretizimi dhe bisedimet për një koalicion të tillë do të jenë pasi LVV-ja të shterrë gjitha mundësitë kushtetuese për formimin e qeverisë.
Ndaj kësaj deklarate, reagoi edhe zëvendëskryeministri në detyrë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi, i cili tha se kjo është tradhëti e votës dhe vërtetim se Isa Mustafa dhe klani i tij synojnë të mbrojnë sistemin e PAN-it ku i kanë edhe vet njerëzit e tyre.