Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk heq dorë nga ideja që secili qytetar i Kosovës të kompensohet me 100 euro për t’u ballafaquar me pandeminë Covid- 19.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi përmes një konference për medie theksoi se vetëm atëherë kur secili qytetar të marrë 100 euro nga qeveria, kjo e fundit ka të drejtë legjitime për masa sikurse këto të fundit nga Ministria e Shëndetësisë.

Abrashi: Kur t’i japim nga 100 euro secilit qytetarë kemi të drejtën për t’i mbyllë në shtëpi

“Pako e parë është emergjente, pako gjithëpërfshirëse që i përfshinë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim gjinie, moshe. Për shkak se mendojmë virusi Covid- 19 i ka përfshirë të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi propozuar që të ndahen për qytetarët e Kosovës nga 100 euro, pa dallim. Me analizë që një familje e Kosovës i ka diku 4-5 anëtarë edhe t’iu japim familjeve nga 400-500 euro. Respektivisht nga 100 euro për kokë të banorit. Atëherë e kemi të drejtën morale dhe legjitime që këto familje t’i mbyllim në shtëpitë e tyre”, tha ai.

E deputeti tjetër i AAK-së, Arbër Tolaj kritikoi qeverinë në detyrë për menaxhimin e situatës me pandemi.

Tolaj: Kemi mungesë të furnizimeve dhe testimeve

“Qeveria të bëjë furnizimin e menjëhershëm me materialin e nevojshëm sepse me këtë mënyrë mbrohen jo vetëm mjekët dhe infermierët, por të gjithë qytetarët e vendit. Përveç kësaj kemi numrin e vogël të testimeve”, u shpreh ai.

AAK-ja e cilësoi si antikushtetues vendimin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizim të lëvizjes. Deputeti Abrashi u shpreh optimist se në ditën në vijim Kuvendi do të nxjerrë vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Abrashi: Besoj që Kuvendi do të depolitizojë situatën emergjente në Kosovë

“Besoj që në ditët në vijim ky kuvend do të gjejë energji, forcë edhe mençuri të depolitizojë situatën e emergjente në Kosovë. T’i jap instruksion të qartë qytetarëve për mundësitë e lëvizjes së tyre”, tha ai.

Gjatë ditës sotme ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga PDK-ja për të votuar rezolutën që përmban pakon emergjente prej 320 milionë euro për tejkalimin e krizës me pandeminë COVID-19.

Share.