Agjencia amerikane e medikamenteve (FDA) lëshoi një autorizim për përdorimin në urgjencë të antiviralit eksperimental remdesivir, pasi një provë amerikane tregoi se ai shkurtonte ndjeshëm kohëzgjatjen e rikuperimit për pacientët e prekur rëndë nga COVID-19.
“Jam i lumtur të njoftoj se Gilead ka marrë nga FDA autorizimin për përdorimin e remdesivirit”, theksoi presidenti amerikan, Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Autorizimi lejon që remdesivir të përdoret nga spitalet për të sëmurët rëndë me COVID-19 që kanë nevojë për oksigjen, për shembull në respirator, pa pasur nevojë të marrin pjesë në një provë klinike.
“Është e arsyeshme të besohet se remdesivir mund të jetë efektiv kundër COVID-19 dhe se duke marrë parasysh që nuk ka trajtime alternative adekuate, të aprovuara ose të disponueshme, përfitimet e njohura dhe të mundshme për trajtimin e këtij virusi të rëndë dhe vdekjeprurës tejkalojnë rreziqet e njohura dhe të mundshme që paraqiten nga përdorimi i medikamentit”, theksoi FDA.
Remdesivir do të shpërndahet me prioritet për spitalet e qyteteve më të prekur nga pandemia në SHBA, një shpërndarje që do të jetë e koordinuar nga qeveria amerikane”, theksoi Gilead në një deklaratë./ Tv Malisheva