Dy zyrtarë amerikanë thanë që nuk kishte asnjë indikacion se shpërthimi i madh në Bejrut ishte rezultat i një sulmi nga ndonjë vend ose aleatët e tij.
Një zyrtar në kushte anonime pranë Departamentit të Shtetit dhe një anëtar i bashkësisë së inteligjencës amerikane thanë për Associated Press se për momentin shpërthimi duket se është shkaktuar nga depozitimi jo i duhur i eksplozivëve.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha gjithashtu se “nuk e kanë idenë” për çfarë aludoi presidenti Donald Trump kur tha gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë të martën se shpërthimi “duket si një sulm i tmerrshëm”.
Trump më vonë tha që “gjeneralët e tij të shkëlqyeshëm” thanë se ata ndjeheshin sikur ishte një sulm.
Të paktën 113 njerëz humbën jetën në një shpërthim shkatërrues në portin e Bejrutit, dhe më shumë se 4,000 të tjerë u plagosën.