Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka mbështetur një imam të famshëm i cili shkaktoi një ortek komentesh duke thënë se homoseksualizmi sjell sëmundje dhe çon në prishjen e shoqërisë.

Në fjalën e tij të parë gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, imami Ali Erbas tha të premten se qindra-mijëra njerëz janë të ekspozuar ndaj HIV çdo vit për homoseksualizëm dhe tradhti bashkëshortore, dhe u bëri thirrje besimtarëve që të bashkohen për të luftuar këtë të keqe.

Partitë e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar deklaratat e bëra nga Erbas, i cili kryeson Drejtorinë e shtetit për çështje fetare.

Nga ana tjetër, Erdogan tha sot se çdo sulm ndaj Erbasit është një sulm ndaj shtetit.

Presidenti turk, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e të cilit ka rrënjë në lëvizjen islamike turke, tha se Erbas kishte përmbushur detyrat e “besimit, mençurisë (Islamit) dhe zyrës së tij” dhe shtoi se fjalët e tij ishin të detyrueshme për të gjithë myslimanët.

Ai deklaroi se toni kritik kundër imamit u shndërrua në një “sulm të qëllimshëm ndaj Islamit”.

Shoqata e të Drejtave të Njeriut në Ankara ka ngritur një padi penale kundër Erbas, ndërsa Shoqata e Avokatëve e Ankarasë e ka akuzuar për përhapje të urrejtjes dhe ka kërkuar shkarkimin e tij, duke deklaruar se nuk do të ishte befasi që në të ardhmen ai t’iu bëjë thirrje njerëzve “që të djegin gratë si shtriga”.

Prokuroria tha se kishte filluar një hetim penal kundër Shoqatës së Avokatëve të Ankarasë për shkak të “fyerjes së vlerave fetare”.

Homoseksualizmi nuk është i ndaluar në Turqi, por Qeveria e Erdogan ka ndaluar mbajtjen e paradave të krenarisë dhe ngjarje të ngjashme vitet e fundit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë./ Tv Malisheva

Share.