Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka kërkuar përfshirjen e stafit përcjellës shëndetësor në kuadër të shtesave për pagë në vlerë prej 300 eurosh.

Kërkesa e FSSHK-së drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti vjen pas publikimit të vendimit të Qeverisë në lidhje me aprovimin e shtesave mbi pagë në vlerë prej 300 eurosh për punëtorët shëndetësorë në sektorin publik.

Në këtë vendim nuk janë përfshirë stafi përcjellës, punëtorët e shërbimeve teknike, bartësit, vozitësit, sigurimi, sanitarët, IT, punëtorët administrativë të institucioneve shëndetësore dhe Ministrisë së Shëndetësisë, inspektorët shëndetësorë.

“I nderuari kryeministër, duke ju rikujtuar edhe njëherë se sistemi shëndetësor funksionon në mënyrë zinxhirore ju lutem mos bëni diskriminim. Merreni me seriozitet këtë kërkesë që mos të shkëputet ndonjë hallkë e këtij zinxhiri në shëndetësi duke e plotësuar Vendimin edhe me pjesën tjetër të stafit në pajtueshmëri të plotë me vartësit e institucioneve shëndetësore.

Çdo diskriminim eventual i juaji nga FSSHK do të përdoret si shkas për të reaguar me të gjitha mjetet juridike ligjore dhe sindikale”, thuhet në letër./Tv Malisheva

Share.