Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në një takim nënkryetarin e Komunës së Kamenicës si dhe kryetarin e degës së AAK-së në këtë komunë, Faton Jakupi, me të cilin ka shtjelluar tema që kanë të bëjnë me Kamenicën.
Haradinaj, në faqen e tij në Facebook, ka shkruar se është diskutuar veçanërisht për menaxhimin e pandemisë.
“Takim me nënkryetarin e Kamenicës Faton Jakupi, që njëherësh udhëheq me degën e Aleancës atje. Biseduam bashkë për sfidat e kësaj komune me theks të veçantë menaxhimin e pandemisë, që nuk ka qenë aspak e lehtë për këtë komunë”, ka shkruar Kryetari Haradinaj.
Ai ka njoftuar se Jakupin e ka përgëzuar për punën e palodhshme në shërbim të mirëqenies së qytetarëve.
Po ashtu, Haradinaj e ka inkurajuar nënkryetarin e Kamenicës, duke ia premtuar edhe mbështetjen e AAK-së në angazhimet e tij.
“E përgëzova nënkryetarin Jakupi për punën e palodhur të tij për mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës. E inkurajova që të vazhdojnë me punët e mira që po bëjnë dhe e sigurova se përkrahja ime dhe e AAK-së nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar në fund kryetari i AAK-së./Tv Malisheva