Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vijim po e japim tekstin e këtij mesazhi:

Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korriku, është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike anekënd botës. Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit.

Deklarata e Pavarësisë e SHBA-ve e 4 Korrikut 1776 ka shënuar lindjen e një kombi të ri e liridashës, i cili, që nga atëherë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet më të rëndësishme historike botërore dhe në rritjen e demokracisë.

Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë e dy vendeve tona!/ Tv Malisheva

Share.