Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim drejtuesit e Klubit të Prodhuesve për të diskutuar për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend, e veçanërisht të sektorit të prodhimit, pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Gjatë takimit kryeministri Hoti njoftoi prodhuesit për hapat që ka ndërmarrë qeveria për përkrahjen e sektorit të prodhimit, por edhe të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit.

“Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që t`ua lehtësojë veprimtarinë e tyre prodhuesve të vendit. Qeveria do t’i mbështesë prodhuesit bujqësorë në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se Qeveria tashmë është duke e mbështetur ekonominë e vendit me pakon emergjente, si dhe është duke e konkretizuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Po ashtu, vijoi ai, Qeveria ka krijuar edhe fondin e rimëkëmbjes ekonomike prej afro 385 milionë eurosh.

Ndërsa, drejtuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, thanë se misioni i këtij klubi është fuqizimi i prodhuesve të Kosovës, ndihma për nxitjen e bashkëpunimin në mes tyre dhe me palët e treta, ndërtimi i urave të bashkëpunimit me institucionet shtetërore, me qëllim të fuqizimin dhe të promovimit të prodhimeve vendore, duke e ngritur vetëdijen e qytetarëve për cilësinë e këtyre prodhimeve./ Tv Malisheva

Share.