Individët e pa vaksinuar kanë 11 herë më shumë gjasa të vdesin nëse infektohen me koronavirus sesa ata që kanë marrë vaksinën, sipas një raporti të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Drejtoresha e CDC, Rochelle Walensky tha se raporti bazohet në një pasqyrë të rasteve të infeksionit, shtrimeve në spital dhe vdekjeve në 13 shtete të SHBA-së dhe se ato janë dëshmi të fuqisë së vaksinimit kundër koronavirusit.
Studimi u krye në 600.000 të rritur të infektuar dhe të dhëna nga 187 spitale në 13 shtete amerikane.
Studimi shqyrtoi të dhënat nga dy muajt e fundit kur varianti delta shumë i transmetueshëm u bë lloji dominues i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, dhe zbuloi se përveç rritjes dramatike të mbrojtjes kundër vdekjeve të lidhura me virusin, vaksina mbron edhe kundër infeksioneve dhe shtrimeve në spital.
Walensky tha se në krahasim me individët e vaksinuar, individët e pa vaksinuar kanë afërsisht 4.5 herë më shumë të ngjarë të preken me COVID-19 dhe mbi 10 herë më shumë të ngjarë të shtrohen në spital.
“Siç kemi treguar në një seri studimesh, vaksinimi funksionon. Përfundimi është – ne kemi mjetet shkencore që na duhen për të përmbysur këtë pandemi, “tha Walensky.
Rezultatet e plota të studimit së shpejti do të publikohen në faqen e internetit të CDC.