Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin do të shohin mundësitë e inicimit të shkarkimit të tij. Sipas saj, i pari i shtetit me vetëdije të plotë ka bërë shkelje kushtetuese duke anashkaluar Lëvizjen Vetëvendosje, si parti fituese në formimin e qeverisë.

Nagavci në një intervistë për KosovaPress, thotë se edhe përfshirja e presidentit në formimin e qeverisë së re, pa zgjedhje të reja ka të bëj me pazare politike.

Nagavci: Presidenti me vetëdije ka shkelur kushtetuesen

“Gjithë kjo kohë që presidenti Thaçi ka qenë në detyrë i ka sjell dëme të mëdha vendit. Besojmë që ai me vetëdije ka shkel kushtetuesen dhe presim vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur hapat e radhës”, thotë ajo.

Ajo thotë se LDK-ja po tenton të formojë një qeveri jolegjitime dhe joparimore në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.

Nagavci: Marrëveshjet e tyre janë bërë thjesht për pazare

“Presidenti ka qenë shumë i përfshirë në tentimin për të krijuar qeverinë e re. Ai ka ndikuar drejtpërdrejt dhe lehtësuar këtë proces të bashkëpunimit mes LDK-së dhe palëve tjera…Çdo diskutim që është bërë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje me ish partnerin qeverisës kane qenë një diskutim i bërë në mënyrë transparete dhe i bazuar në parime. Gjithçka ka qenë në tavolinë dhe e vendosur në mënyrë parimore. Ndërsa ajo që kemi parë deri më tani dhe lë dyshime është se marrëveshjet me të tjerët janë bërë thjesht për pazare”, thotë ajo.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh e bindur se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim në favorë të partisë së saj, pasi siç thotë argumentet juridike qëndrojnë krahë tyre.

Nagavci: E drejta është në anën tonë

“E drejta është në anën tonë. Kemi paraqitur gjitha argumentet juridike, pa dashur të paragjykojë punën e Gjykatës Kushtetuese po presim vendimet finale”, thotë Nagavci.

Duke folur për zgjedhjet e reja, Nagavci thotë se nëse rezultatet janë të mira me pandeminë, vendi mund të organizojë zgjedhjet në gjysmën e muajit qershor.

Nagavci: 14 qershori do të ishte datë e mirë për organizimin e zgjedhjeve

“Nëse rezultatet janë më të mira në raport në gjendjen me pandeminë do të ishte shumë mirë që zgjedhjet të mbahen sa më parë. Ne kemi menduar që gjysma e qershorit, gjegjësisht 14 qershori do të ishte një datë e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me besimin dhe shpresën që gjithçka do të jetë mirë me rezultatet e pandemisë”, u shpreh Nagavci.

Ndonëse në opinion u paraqit si refuzim i Komisionit të Venedikut ndaj kërkesës së kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit thotë se ky komision ndërkombëtar e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim dhe për t’u përgjigjur pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese./ Tv Malisheva

Share.