Fokusi kryesor i shefit të ri në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës(AUV), Flamur Kadriu, në këtë kohë mbetet mbikëqyrja dhe zbatimi i masave anti Covid-19 për uljen e numrit të lartë të vdekurve dhe të infektuarve nga ky virus vdekjeprurës.
Derisa për sektorin e ushqimit në vend, Kadriu thotë se do të jenë të përkushtuar aq sa munden, megjithëse nuk ofron siguri në ushqim 100 përqind për konsumatorët edhe pse tashmë kjo agjenci ka të angazhuar rreth 96 inspektorë.
Për këtë kryeshefi ekzekutiv i AUV ka kërkuar bashkëpunim edhe me konsumatorët kurdo që hasin në parregullsi me produktet ushqimore.
“Po si nuk është sfiduese, kjo është një pozitë jashtëzakonisht e koncentruar në shumë veprimtari – sektori i ushqimit donë një përkushtim më të madh… Për momentin fokusi ynë do të jetë zvogëlimi i numrit të të infektuarave, zvogëlimi i numrit të të vdekurve. Kjo është me rëndësi, besoj që do të ishte përgjegjësi e krejt institucioneve, e secilit qytetarë të Republikës së Kosovës që të bëjnë më të mundshmen që të zvogëlojmë numrin e infektimeve dhe numrin e vdekjeve, pastaj me të tjerat do të vazhdojmë gradualisht”, thekson ai.
Kadriu i cili është emëruar u.d. i kryeshefit një javë më parë nga kryeministri, thotë se asnjëherë, asnjë autoritet s’mundet të garantojë siguri në sektorin e ushqimit 100 përqind, pasi sipas tij, vet natyra e ushqimit është asisoj që paraqet probleme.
“Ne jemi vigjilent aq sa mundemi, aq sa kemi përgatitje, aq sa kemi njohuri. Siguria e ushqimit nuk është koncept që mundesh me garantuar 100 përqind asnjëherë. Ne marrim informata nga Komisioni Evropian të rregullta për çështje të ndryshme që ndodhin atje, edhe ose ata e quajnë që është një sistem perfekt. Mirëpo, edhe atje ndodhin, këto janë dukuri të përhershme, sa më pak të kemi incidente, niveli është më i mirë. Le të mundohemi ta parandalojmë secilin incident që ndodhë me ushqim. Por, asnjë herë asnjë autoritet s’mundet me garantuar një siguri 100 përqind, pra natyra e ushqimit është asisoj që gjatë fazave të prodhimit dhe të trajtimit të ushqimit munden me ndodhë probleme… Konsumatori është pjesë e rëndësishme e zinxhirit të sektorit ushqimor. Edhe konsumatori duhet të jetë vigjilent gjatë blerjeve, furnizimit dhe gjatë përdorimit të ushqimit, dhe normalisht që të lajmërojë për çfarë do dukurie që duket jo e rregullt”, thotë Kadriu.
Shefi i AUV-i në një intervistë ka treguar se inspektorët e rinj do të angazhohen drejtpërdrejt në luftimin ose në mbikëqyrjen e zbatimit të masave antiCovid-19, derisa paralajmëron të gjithë ato biznese që nuk respektojnë orën policore se do të gjobiten dhe mbyllen deri në 30 ditë.
“Nëse ka raste që vazhdojnë punën sigurisht që do të merren masa ashtu siç janë të parapara edhe me vendim dhe me ligj. Ata që nuk respektojnë masat, që juridikisht quhen recidivistë do të mbyllen deri në 30 ditë, kështu që operatorët ta kenë parasysh që inspektimet kanë me qenë rigoroze. Pra, ata që nuk iu binden urdhrave dhe situatës që kemi vdekje më shumë se kurdoherë, do të merren masat që të vetëdijesohemi që të kemi një parandalim të kësaj sëmundje”, thekson ai.
Kadriu thotë po ashtu se një përkushtim të veçantë kanë edhe për kontrollin e mallrave ushqimore në pikat kufitare.
“Ne nuk do me thënë që tash e kemi një sëmundje ngjitëse dhe me i harruar këto punët tjera. E kemi parasysh, inspektorët tanë kufitar janë në pozicionet e tyre, nuk kanë lëvizë asnjë herë dhe do të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre për kontrollin e produkteve ushqimore gjatë importit, pra ashtu siç kanë punuar përpara edhe tash. Këta inspektor nuk kanë qenë të tërhequr ose të angazhuar për Covid-19. Ata do të qëndrojnë në vendet e tyre të punës. Edhe inspektorët veteriner i kanë punët e veta të përditshme që nuk kanë qenë as ata në kontrollin për parandalimin e sëmundjes sikurse inspektorët fito-sanitarë”, shprehet ai.
Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë deri më tash ka pasur vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ndërsa atyre u janë bashkëngjitur edhe 85 inspektorë të terrenit.
Masat kanë hyrë në fuqi nga data 30 gusht dhe do të zgjasin deri më 13 shtator, kur bëhet edhe vlerësimi i ri i situatës. Ato përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri 05:00. Gastronomia lejohet të punojë deri në orën 21:30 dhe atë vetëm në hapësira të jashtme, në pajtim me udhëzuesin përkatës./TV Malisheva