Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit N.M., i cili dyshohet se me shufër metalike ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 25 korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i dyshuari me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e godet të ndjerën një herë në kokë, e cila rrëzohet në dysheme, mirëpo i njëjti prapë ka vazhduar ta godet me shufër disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse.

Me këto veprime, dyshohet se i dyshuari N.M., ka kryer veprën penale ”Vrasja e rëndë”, nga neni 173, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa sot pritet që të mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit, para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Share.