Rihapja e kufijve të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian po bëhet në një mënyrë kaotike, gjë që cenon rifillimin e sektorit ajror, pas ndërprerjes së detyruar lidhur me koronavirusin e ri, denoncuan sot dy organizmat e mëdha përfaqësuese të kompanive dhe aeroporteve.

“Airlines for Europe” (A4E), që përfshin 16 transportues ajror si dhe Air France-KLM, IAG, Lufthansa, Ryanair apo EasyJet dhe ACI Europe, që përfaqëson më shumë se 500 aeroporte, ndajnë këtë konstatim në një komunikatë të përbashkët, të publikuar sot.

“Qasjet e ndryshme kombëtare po dëmtojnë tregun tonë të vetëm dhe do të ngadalësojnë rikuperimin e shumëpritur në aviacion dhe turizëm”, theksoi drejtori i përgjithshëm i A4E, Thomas Reynaert.

“Situata po krijon gjithashtu kushte të pabarabarta të konkurrencës në Evropë në një kohë kur sektori ynë është ende duke luftuar për mbijetesën e tij”, shtoi ai në këtë njoftim për shtyp.

Nga ana e tij, Olivier Jankovec, homologu i tij i ACI Europe, vlerëson se sektori nuk mund të lejojë të dalë nga situata në mënyrë kaq kaotike, ashtu si hyri.

“Vendet e BE-së nuk po respektojnë marrëveshjen që kanë arritur së bashku. Kjo nuk promovon besimin e konsumatorit dhe minon qartë përpjekjet” për rimëkëmbjen”, shtoi ai.

Vendet anëtare të BE-së dhe zona e Schengenit kanë vendosur të rihapin kufijtë e tyre të jashtëm nga 1 korriku për udhëtarët e rreth pesëmbëdhjetë vendeve, si pjesë e një rekomandimi jodetyrues të miratuar në 30 qershor.

Udhëtimet “jothelbësore” në BE u ndaluan në mes të marsit për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së pandemisë.

Por, disa vende evropiane devijojnë nga marrëveshja dhe imponojnë kushtet e tyre.

A4E dhe ACI Europe citojnë Belgjikën, Gjermaninë, Greqinë dhe Hungarinë.

“Për shembull Greqia ka vendosur të ndalojë hyrjen në tokën e saj të shtetasve serbë duke kundërshtuar kështu rekomandimet e Këshillit të BE dhe parimin e mos diskriminimit”, sipas dy organizatave./atsh

Share.