Bordi Këshillues për COVID-19, ka mbajtur sot mbledhjen e parë konstituive.

Në këtë takim u trajtuan disa prej pikave organizative se si do të funksionojë ky Bord, derisa nuk u diskutua në detaje se sot në vendin tonë janë shënuar 241 raste me COVID-19.

Mikrobiologu Lul Raka, që e kryeson këtë bord, tha se janë diskutuar disa prej pikave kryesore dhe theksoi se si bord do të japin vetëm këshilla dhe se nuk kanë kompetenca ekzekutive.

Raka tha se është fakt se ditëve të fundit ka rritje të numrit të rasteve me COVID, por që tha se në këtë mbledhje të parë nuk janë futur në detaje.

Raka: Nuk jemi futur në detaje vetëm e kemi shqyrtuar disa prej pikave organizative

“Prapavija e themelimit të këtij bordi është që çdo veprim që merret në adresimin e përballjes me COVID-19 të ketë prapavijë shkencore. Përkundër faktit që të dhënat shkencore po përditësohen dita ditës, mirëpo e jona është që t’i përcjellim edhe në bazë të këtyre të dhënave t’i japim rekomandimet edhe këshillat më të mira të mundshme për situatën aktuale. Fakt që numrat janë në rritje siç e përmende, ne nuk diskutuam për pikat kryesore të cilat do të mund të futeshin në kornizën e këshillave për përballjen e pandemisë, por nuk jemi futur në detaje vetëm e kemi shqyrtuar disa prej pikave organizative se si do të funksionojë, cila është rruga më e mirë dhe cila është korniza e adresimit të gjitha këtyre problemeve”, tha ai.

I pyetur se a janë pasqyrë reale 24 orëshe të Kosovës rezultatet nëse mostrat kanë qenë të ditëve të kaluara dhe jo të 24 orëshit të fundit, Raka tha se nëse rezultatet janë të ditëve të kaluara duhet të sqarohen për opinionin publik.

Derisa bëri të ditur se nga sot ka filluar informimi elektronik i pacientëve që testohen për COVID-19.

Raka: Nëse kanë qenë të ditëve të kaluara ata duhet të informohet opinioni publik

“Nëse kanë qenë të ditëve të kaluara ata duhet të sqarohet, duhet të informohet opinionin publik. Edhe testimi besoj që do të jetë një prej pikave të cilat marrin një rol të rëndësishëm në fushën e këshillimit dhe besoj që do të ketë përmirësime edhe në testim edhe në informim të popullatës. Me informatat që kam unë pas mbështetjes që ka ardhur prej Kaktusit për informimin e qytetarëve të Kosovës, sepse ato ndoshta për shkak jo vetëm të vonesës po e kanë marrë me vonesë informatën, kjo organizatë në mënyrë vullnetare është angazhuar në IKSHPK që në mënyrë elektronike menjëherë t’i njoftojë qytetarët e Kosovës për rezultatet të cilat i marrin. Sidomos kjo do ta lehtësoj punën e atyre që janë testuar dhe të cilët kanë qenë negativ edhe kanë pritur me ankth. Sipas informatave prej sot ka filluar ky aktivitet, e i cili do ta lehtësoj pak edhe informatën për qytetarët po edhe punën e stafit në IKSHPK, laboratorin e Mikrobiologjisë i cili jo vetëm ai po të gjitha nivelet tjera janë të mbingarkuara që gati 5 muaj”, tha ai.

Ndërsa, rreth rekomandimit se diagnostikimi i COVID-19 të bëhet vetëm diagnozë klinike pa testime, ai tha se kjo do të merret vesh në takimin e radhës që do të jetë si pikë e rendit të ditës.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se ky bord është formuar për t’iu shërbyer atyre si ministri, shëndetësisë dhe Kosovës në kalimin e situatës së pandemisë COVID-19.

Zemaj: Do të na ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të situatës

“Besojmë që me përmirësimin e situatës dhe me kalimin dhe përfundimin e pandemisë t’i kthehemi edhe përmirësimeve te shërbimeve, ideve edhe shkencore edhe publiciste, po edhe profesionale, që këta njerëz mund t’i ofrojnë MSh dhe Republikës së Kosovës. Sot unë isha më shumë si nikoqir, herëve të tjera me gjitha rekomandimet dhe sugjerimet unë do të bashkëpunoj ngushtë në aspektin edhe profesional edhe ligjor pa ndonjë ngarkesë tjetër vetëm për hir të interesave të vendit dhe ruajtjes së shëndetit publik në Republikën e Kosovës…Besoj që do te angazhohen maksimalisht që të më ndihmojnë mua dhe ministrisë së Shëndetësisë në tejkalimin e kësaj situate dhe në menaxhimin më të mirë të situatës epidemiologjike në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Në takimin e parë të Bordit këshillues për COVID-19, kanë marrë pjesë edhe dy ish ministrat e Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe Ferid Agani. Ndërsa, ftesës publike të ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, nuk i kanë përgjigjur dy ministrat e fundit të Shëndetësisë, Arben Vitia i LVV dhe Uran Ismaili i PDK-së.

Share.