Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Endrit Shala, pas marrjes së informacionit për tragjedinë në të cilën humbën jetën dy minatorë, ka vizituar minierën e Artanës.

Shala me këtë rast u njoftua nga kryetari i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani, se ngjarja ka ndodhur me rastin e shembjes së pjesës tavanore të punishtes, në të cilën minatorët ndodheshin gjatë kohës sa ishin duke kryer punën e tyre.

Tre punëtorët e tjerë nga punishtet e tjera, i kanë shpëtuar shembjes dhe kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Drejtuesit e KPMM-së njoftuan se reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm.

Në vendngjarje kishin shkuar anëtarët e Bordit, kryeinspektori i KPMM-së dhe njësia e shpëtimit dhe e ndihmës së parë. Kjo e fundit u kishte ofruar ndihmën e parë punëtorëve të lënduar.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Endrit Shala, në emër të komisionit u shpreh ngushëllime familjeve të minatorëve./Tv Malisheva

Share.