Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi sot ka marrë pjesë në takimin virtual të Këshillit Ndërministror për Ujëra, të ftuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ku u diskutua për projektet që kanë mbetur në proces dhe planifikimet për projektet e ardhshme.

Në komunikatën ministrore thuhet se përveç kryeministrit Hoti dhe ministres së Financave, Hykmete Bajrami, pjesë e takimit ishin edhe donatorët e sektorit të ujërave.

Përderisa u bisedua për projektet që janë me ndërmarrjet e ujërave, ministri Blerim Kuçi ka bërë të ditur se gjithçka do të shkojë në bazë të ligjit në përzgjedhjen e bordeve të këtyre ndërmarrjeve edhe ka ftuar donatorët tjerë të jenë pjesë e monitorimit të procesit të rekrutimit, përveç Marrëveshjes me Britanikët për asistencë në rekrutim të bordeve.

“Sa i përket bordeve dhe menaxhmentit të ndërmarrjeve të ujërave, me të cilët keni projekte, po u tregoj se ato janë duke funksionuar me borde të përkohshme. Me Ligjin për Ndërmarrje Publike do të rekrutojmë anëtarët për Bordet e Rregullta. Dua të kujtoj se më parë Kryeministri Hoti ka nënshkruar marrëveshje me Britanikët për asistencë në përzgjedhje të bordeve. Mirëpo, unë sot po u bëj thirrje që edhe ju si donatorë të jeni pjesë e këtij procesi. E gjitha kjo pasi gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet, që të zgjedhim njerëz profesionistë dhe do të jemi plotësisht transparentë”, ka thënë ministri Kuçi.

Në lidhje me projektet dhe strategjitë, ministri Kuçi ka kërkuar nga donatorët që të mundohen që t’i përshtatin me programin e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë.

Gjithashtu, në fund ministri ka kërkuar që të ketë një listë me veprimet që duhet të shtyhen përpara, që të ketë implementim pa vonesa./Tv Malisheva

Share.