Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka reaguar pas krahasimit që i është bërë atij me ish-ministren e qeverisë Kurti Rozeta Hajdari, për të cilën tha se nuk kishte gjetur gjurmë të punës së saj në ministri.
Kuçi: Unë gjurmë të punës të ajo nuk kam pa
“Unë gjurmë të punës të ajo nuk kam pa, e di që ka qenë prezentë në media, po gjurmë të punës në atë ministri të saj nuk kam parë. E di që do t’iu duket e çuditshme dhe përshtypja ime ka qenë që është duke punuar, por gjurmë të një ministrie, të një ministre që qon ndonjë proces përpara nuk ka hasur. Edhe ato që i ka bo i ka bo në koordinim në emër të krejt Qeverisë”, tha Kuçi.
Ministri Kuçi ka numëruar edhe disa të arritura në ministrinë që tashmë e drejton, ku ka theksuar se kanë bërë një zgjidhje të përkohshme të problemeve në Telekom dhe se janë në proces të zgjedhjes së përhershme të tyre.
Kuçi: Kemi bërë një zgjidhje të përkohshme pas problemeve të kahmotshme në Telekom
“Ministria ime e ka hartuar një memorandum me BERZH-in për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme atë solare dhe me erë përmes procesit konkurrues dhe transparent përmes një ankandi. Kjo në aspektin e energjisë paraqet krejtësisht diçka të re dhe mese të nevojshme për rajonin, për BE-në edhe për nevojat tona si qeveri….Kemi bërë një zgjidhje të përkohshme pas problemeve të kamotshme me probleme në Telekom dhe jemi në proces të zgjidhjes së përhershme. Pastaj kemi bërë rivendosjen e bashkëpunimit me Ambasadën britanike për përzgjedhjen e anëtareve të bordeve të rregullta dhe kompetente të ndërmarrjeve publike. Kemi bërë zhbllokimin e fondit të EMC që është një fond tejet i rëndësishëm dhe vazhdimin dhe konsultimet për kompakt. Pra është një proces që ka të bëjë me interes vital të qytetarëve të Kosovës… Kemi bërë projektin e financuar nga Banka Botërore që ka të bëjë me eficiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme në Kosovë, nënshkrimi i fazës së fundit është bërë në vlerë prej 5 milion eurosh, subvencionimin e ndërmarrjeve publike”, tha ai.
Kuçi tha se kanë bërë zgjidhjen edhe në deponinë transfer në Gjakovë, që tha se e ka përcjell si problem i vazhdueshëm Komunën e Gjakovës.