Pas pacientëve të parë që dolën pozitivë me virusin COVID-19 në vendin tonë, qeveria ka shpallur gjendjen emergjente në sektorin e shëndetit publik si dhe ka shtuar kontrollet në pikat kufitare.
Edhe në pikën kufitare kalimtare me Maqedoninë është njëjtë. Aty, ekipet mjekësore po kontrollojnë në bazë të rekomandimeve të IKShPK-së, por që në këtë pikë thonë se kanë nevojë për më shumë mjete mbrojtëse.
Mjekja Arbnore Kalushi, e cila është në krye të detyrës në pikën e kalimit kufitar Hani Elezit, thotë për KosovaPress se duhet të pajisen me mjete mbrojtëse shtesë, për shkak se dorezat dhe maskat duhet të ndërrohen vazhdimisht.
Përveç kësaj, ajo bëri të ditur se gjatë ditës së sotme në këtë pikë kufitare, kanë kontrolluar rreth 22 persona, të cilët kanë rezultuar negativ për Pandeminë COVID-19.
Kalushi: Mjetet mbrojtëse i kemi, por të kufizuara
“Sot jemi prej orës 8 në mëngjes, për udhëtarët është mbyllur kufiri jemi duke bërë kontrolle për shoferet e kamionëve të cilët vinë nga Maqedonia në Kosovë. Për momentin deri tash i kemi dikund 22 kontrolle që i kemi bërë në bazë të protokollit që e kemi, nuk ka të dyshuar për momentin është duke shkuar puna në rregull…. I kemi mjetet për momentin po edhe pse kemi janë të kufizuara, gjithçka që po marrim po duhet me pas kujdes që mos të dëmtohet diçka”, u shpreh Kalushi.
Kalushi i bëri thirrje qytetarëve të mbajnë higjienën dhe të ulin panikun.