Kryeministri në detyrë i ka quajtur gënjeshtra dhe shpifje deklarimet e presidentit Hashim Thaçi se Albin Kurti dhe vartësit e tij kanë shkuar tri ditë me radhë në dhomën e përgjimeve në PTK.

Sipas Kurtit, presidenti Thaçi ka dëshirë të hyjë në dhomën e përgjimeve dhe ta uzurpojë zyrën e kryeministrit, dhe më pastaj po ia veshin atij si fakte.

Këto komente kreu i qeverisë në detyrë i bëri pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kurti: Deklarimet e Thaçit janë shpifje e gënjeshtra

“Ato janë gënjeshtra, janë shpifje problemi me gënjeshtarë është se nuk mund të gënjejnë një herë duhet të gënjejë për ditë, e mandej duhet të gënjejë disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve nuk besoj që do të duhej të ishin pyetje vetëm për mua, por edhe pyetje të Kryeprokurorit të Shtetit për presidentin. Duket se këtyre protagonistëve të aferës ‘Pronto’ iu ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishten e filmave mafioz dhe tash besojnë që ata me të cilët nuk pajtohet janë duke u marr me imagjinatën e tyre. Po e theksoi edhe njëherë që mos të humbin kohë me ta se dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte të mija. Ata kanë dëshirë që të hyjnë në dhomën e përgjimeve , ata kanë dëshirë që ta uzurpojnë zyrën e kryeministrit ata i kanë këto dëshira dhe m’i veshin mua si fakte”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ‘e kap siklet’ vetëm kur e di që ka dhomë të përgjimeve.

Ahmeti: Nuk e kam ditur se dhoma e përgjimeve ekziston në Telekom

“Mua më kap sikleti vetëm kur e di që ka dhomë të përgjimeve, vetëm dhoma e përgjimeve nuk e kam ditur që ekziston në Telekom, një gjë të tillë e kam mësuar”, tha Ahmeti.

Kreu i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti ka folur edhe rreth provës së dytë për protestë në kohë pandemie.

Kurti tha se kjo është organizuar nga aktivistë të partisë, duke shtuar se ai në këtë kohë të pandemisë nuk ka kohë të merret me këtë çështje.

Kurti: Nuk kam kohë të kryej detyrën e aktivistit të Lëvizjes në këtë krizë politike

“Lëvizja Vetëvendosje e ka organizatën e aktivistëve dhe ata veprojnë organizohen, punojnë, tash ne si kryeministri nuk marrim pjesë as në përgatitje as në organizim të këtyre aktiviteteve dhe ka aktivitete të tjera publike që organizohen në Kosovë, çofshin protestuese, kundërshtuese të kësaj natyrës politike dhe të cilët ne i respektojmë jemi për liri demokratike, por gjithmonë në kuadër të masave që i kemi ndërmarrë për tu mbrojtur nga shpërndarja e pandemisë COVID-19, unë nuk kam kohë që të kryej detyrën e aktivistit të Lëvizjes ose edhe kryetarit të saj në këtë krizë shëndetësore, politike dhe në fakt edhe ekonomike”, tha ai.

Kurse, i pari i komunës së Prishtinës lidhur me këtë protestë tha se kujdesen për mbarëvajtjen e këtij testi të protestës.

Lidhur me vendimet e Inspektoratin të Punës për kthimin në detyrë të ish- kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi e atij të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi, Kurti tha se vendimet për shkarkime i ka marrë bordi i përkohshëm dhe se nuk beson që ata do të kthehen në ato pozita.

Kurti: S’besoj që do të kthehen kryeshefat e shkarkuar nga bordi i përkohshëm

“Janë bordet e përkohshme të këtyre ndërmarrjeve publike të cilët i kanë marr vendimet. Qeveria ka vendosur për këto borde, mirëpo jo për menaxhmentin. Menaxhmentet e ndryshuara janë si rezultat i vendimeve të bordeve të përkohshme dhe ata do e thonë fjalën e tyre, gjithçka do të bëhet në bazë të ligjit rregulloreve, por unë nuk besoi që do kthehen”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë iu ka përgjigjur edhe deklarimeve të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se Kurti derisa ishte i burgosur kishte privilegje të jepte intervista. E Kurti derisa tha se nuk e di çka të përgjigjet, deklaroi se regjimi i vjetër po ‘shpurth’ nëpër studio televizive.

Ai madje tha se edhe ky si i burgosur në atë kohë është maltretuar edhe më shumë për shkak të aktivizimit të tij.

Kurti: Regjimi i vjetër po ‘shpurth’ nëpër studio televizive

“Për besë nuk di çka të përgjigjem, aty ka pasur shumë të burgosur ata e dinë se nuk ka pasur të privilegjuar e më së paku unë për shkak se të gjithë ne të burgosurit politik shqiptar jemi maltretuar nëpër ato kazamatet e Serbisë vetëm pse ishin shqiptar, e kur vinte puna tek unë e te ndonjë tjetër ajo dyfishohej për shkak të rolit aktiv që kemi pasur. Këtë e kam dëgjuar nga presidenti por po vazhdon edhe nga të tjerët. Tash regjimi i vjetër shpurth nëpër studio televizive por nuk kam çka t’iu bëjë, populli ka vendosur më gjashtë tetor”, tha ai.

I pyetur nëse zgjedhjet serbe të 25 qershorit do të mbahen në komunat veriore, Kurti tha se ende nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë. Ai tha zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk janë mbajtur sipas Kushtetutës së Kosovës, andaj thotë se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës./ Tv Malisheva

Share.