Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se kërcënimi i tij nga Garda Vullnetare Shqiptare i bërë publik ditë më parë është real, ndryshe nga çfarë pretendon presidenti Hashim Thaçi që e cilësoi një shpifje e fabrikuar nga zyrat e VV-së.
Ai ka thënë për OraNews se nuk trembet nga asnjë lloj kërcënimi, duke shtuar se ajo letër ishte më tepër presion ndaj Kushtetueses që më 29 maj do të vendosë për dekretin e presidentit për emrin e mandatarit.
“Presidenti tha se unë e kam shkruar kërcënimin ndaj vetes, nëse ka fakte të tilla duhet urgjentisht të intervistohet nga prokuroria. Por nuk është duke u bërë kjo gjë. Nuk ekziston ende çlirimi i shtetit të Kosovës nga këta shpërdorues, kemi vetëm qeveri të re dhe jo institucione të reja. Dhe qeverinë e rrëzuan. Ka pasur kërcënim ndaj meje, kërcënim me vdekje për mua dhe familjen, e kanë bërë publike, po merren organet e ndjekjes dhe rendit me këtë punë. Ata që më njohin e dinë se te unë nuk funksionojë kërcënimet. Nuk jam person që zmbrapsem apo kërcënohem. Ka vetëm një shpjegim, praktikisht e kanë me Gjykatën Kushtetuese se mos rastësisht po ua zhvlerëson Presidentin, përkatësisht dekretin presidencial që qartazi është në shpërputhje me Kushtetutën. Ekziston një trysni në kontekstin aktual politik për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që do ta publikojë këtë javë aktgjykimin e saj”, ka thënë Kurti.
Sa i takon akuzave të fundit nga presidenti se ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti thotë se Thaçi duhet të japë dorëheqjen dhe të futet në garën zgjedhore se nuk mund të bëjë opozitë nga kolltuku i presidentit.
“Nuk mund të kem koment për një president që sillet në shpërputhje me mandatin dhe kompetencat e tij. Nuk përfaqëson unitetin e popullit, po sillet si një nga liderët opozitarë. Është mirë të dorëhiqet, të lëshojë atë ulësen ku nuk po ndihet rehat dhe të vijë në garë zgjedhore në zgjedhjet e radhës. Një president në panik, i frustruar që përpiqet të bëjë opozitën në kolltukun e presidentit. Sa më parë të kemi president të ri, siç kemi qeveri të re, aq më mirë do të bëhet për Republikën tonë. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese e ka parasysh dekretin presidencial si një tendencë e qartë për tu barazuar me amandamentimin parlamentar të Kushtetutës. Kushtetutën mund ta ndryshojë dhe mund ta shkruajë parlamenti i Kosovës, por kurrsesi presidenti i saj”, është shprehur Kurti./ Tv Malisheva