Për thirrjet në rrjetet sociale për protesta më 4 dhe 5 maj, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se nuk mund t’i ndalojë qytetarët të shprehen, por shton se si Lëvizje Vetëvendosje nuk kanë organizuar ndonjë protestë.

Kurti në një konferencë për media theksoi se vendi është në një situatë pandemie dhe duhet të respektohen vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe këshillat e mjekëve dhe ekspertëve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Kurti: Unë nuk jam këtu që t’i ndaloj protestat e qytetarëve

“Duhet ta kuptojmë që nuk është viti 1990 kur ndaloheshin protestat, por është vitit 2020. Unë nuk jam këtu që t’i ndaloj protestat e qytetarëve, por jam që t’iu shërbej sipas programit tonë, duke u përqendrua në luftimin e pandemisë Covid-19. Rrjetet social, nuk është se kam kohë t’i përcjell dhe nuk e di kush çfarë thirrjesh bënë. Por, subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje ku unë jam kryetar nuk e ka organizuar atë protestë. Protesta nuk është monopol i Lëvizjes Vetëvendosje. Sa të ketë qytetari e popull do të ketë protesta. Unë si kryeministër nuk jam këtu që të merrem as me protesta dhe as me ata i thërrasin dhe i organizojnë ato. Por me Kushtetutë e me Ligj, e me program t’iu shërbej qytetarëve çdo ditë”, theksoi Kurti.

Ai më tej theksoi se nuk mund t’i ndalë qytetarët të protestojnë, sepse siç tha: nuk është kryetar diktator.

Kurti: Nuk jam kryetar diktator

“Unë nuk jam një kryetar diktator I cili u thotë anëtarëve se çka duhet të thonë e të bëjnë. Subjekti ynë është më demokratik në vend, I tillë është edhe për nga statuti dhe për nga praktika. Ne nuk I bëjmë rresht aktivistët që të mendojnë njësoj e të shpreh njësoj e të veprojnë njësoj. Qëndrimin e VV-së e përcakton Këshilli i Përgjithshëm, kryetari I subjektit dhe Kryesia. Ne i kemi 50 mijë anëtarë, nëse unë do merresha se çka thotë secili aktivist, prej tyre ka mundësi që më shumë se gjysma janë në rrjete sociale, atëherë nuk të më ngelej punë për të bërë për shkak të kohës që se kam këtu në kryeministri”, theksoi ai.

Ndërsa, për pagesat në veri, Kurti theksoi se përpiqen që KOSST-in dhe Ministrinë e Ekonomisë të fillojnë faturimin në veri, derisa për pakon emergjente, theksoi se do t’i rishikojnë kushtet për vazhdimin e masave edhe më tutje.

Share.