Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila vlerëson se qeveri Hoti po dështon në menaxhimin e krizë pandemike COVID19. Sipas saj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e vë në lojë fatin e qytetarëve të Kosovës.
Kusari-Lila thotë se në kohën kur është rritur numri i rasteve me koronavirus, kjo qeveri po i lehtëson masat dhe kështu po e qon vendin drejt një krize dhe situate të paqartë.
Kusari-Lila: Kemi hyrë në një periudhë totalisht të paqartë për menaxhimin e krizës COVID19
“Deri tash e kemi pasur një situatë pak më të qartë të menaxhimit të krizës, derisa kemi hyrë në një periudhë totalisht të paqartë, mbi atë se si menaxhohet kriza nga kjo qeveri jo legjitime që është votuar së fundmi. Është tepër e rëndë të shihet se numri i rasteve por rritet, ndërsa numri i masave po lehtësohet dhe nuk ka një qartësi mbi atë se si do të procedohet më tutje.. Derisa qeveria po tregon se që në ditët e para të saj mungesë të kompetencës totale dhe të përgjegjësisë pasi kemi pasur një rritje dramatike të numrit dhe një lehtësim të masave që është në mospërputhje. Ndërsa, në programin e vetë kësaj qeverie një ndër paragrafët e parë të programit qeverisës është menaxhimi i krizës, nëse kjo është menaxhim i krizës atëherë me të vërtetë ne kemi para nesh një situatë shumë të paqartë dhe një krizë tjetër të shkaktuar nga mungesa e menaxhimit të mirëfilltë të krizë COVID19”, tha ajo.
Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi thotë se po luan lojëra për interesa të tij politike që po e vë në lojë edhe fatin e qytetarëve të Kosovës.
Kusari-Lila: Thaçi po luan lojëra të ulëta
“Tash luan lojëra të ulëta bashkë me fatin e qytetarëve duke qenë shumë i bindur me një siguri të madhe se orkestron qeverinë deri në pikën e fundit. Përderisa komplet një retorik tjetër ishte nga i njëjti njeri ditë më parë kur përgjegjëse ishte qeveria Kurti. Pra, një president i cili sipas tekeve të tij dhe interesave të tij politike vë në lojë fatin e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thotë Kusari Lila.
Kusari po ashtu foli edhe për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë, për çka tha se me këtë vendim është shkelur integriteti dhe sovraniteti i Kosovës.
Kusari-Lila: Qeveria Hoti në program ka ruajtjen e integritetit, me heqjes e reciprocitetit e kanë shkelur integritetin e Kosovës
“Asgjë të mirëfilltë nuk ka në atë vendim programi i qeverisë së jashtëligjshme Hoti parasheh ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit, ndërsa me vendimin e parë kanë treguar se kanë shkelur edhe integritetin edhe sovranitetin e Kosovës me heqjen e masës së reciprocitetit”, theksoi e para e Alternativës.
Ndër vendimet e para që mori qeveria Hoti me të ardhur në krye të ekzekutivit ishte heqja e masave të reciprocitetit e cila ishte parë si pengesë nga ana e shtetit serb për vazhdimin e dialogut me Serbinë./Tv Malisheva