Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund të marrin përsipër inicimin e një ligji për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Kështu thotë për KosovPress, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu. Megjithëse vendimi jokushtetues i Qeverisë Kurti për orën policore, shfuqizohet me 13 prill, Baraliu u shpreh se këtë mund të bëj vetëm ekzekutivi, por me mandat të plotë dhe jo në detyrë.

Baraliu: Nuk është në dorën e kuvendit që tani të merret me procedura të tilla

“Jo nuk është në dorën e Kuvendit që tani të merret me procedura të tilla sepse edhe për çfarëdo ligji. Ani pse ka mundësi nga deputetët të propozohen, përveç qeverisë të ketë nisma legjislative. Këtë rast të propozohen projektligje çfarë po mendoni ju. Megjithatë, detyra e qeverisë është që të përgatisë dhe propozoj drejt parlamentit ligje. Meqenëse ju e thatë me të drejt në pyetjen se jemi në situatë ku nuk kemi qeverisje me funksionon mandator. Atëherë mbetet që në një qeverisje tjetër të bëhen këto punë. Deri atëherë nuk mundet kuvendi dhe nuk është detyrë e tij që të përzihen në punët e ekzekutivit”, thotë ai.

Njohësi Kushtetues thotë se çfarë do masë tjetër nën gjendjen e jashtëzakonshme ka të bëj me kompetencat e qeverisë.

Sipas tij, Këshilli i Sigurisë Kombëtare sërish duhet të takohet dhe të ketë koordinim mes kryeministrit dhe presidentit për masat tjera pas datës 13 prill.

Baraliu: Gjitha kompetencat janë në duar të ekzekutivit

“Gjitha kompetencat janë në duar të ekzekutivit edhe gjendja e jashtëzakonshme dhe çdo gjë që është nën të. Çdo masë tjetër nën gjendjen e jashtëzakonshme ka të bëj me kompetencat e ekzekutivit. Në bazë të kushtetutës përsëri, Këshilli i Sigurisë Kom bëtare duhet të takohet dhe për masa çfarëdo qofshin ato duhet të koordinohet kryeministri me kryeministrit dhe këshillit e Sigurisë”, thotë ai.

Pas vendimit të Qeverisë Kurti për orën policore, presidenti Hashim Thaçi këtë e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit javën e kaluar e shpalli këtë vendim kundër kushtetues, por tha se do të shfuqizohet me datën 13 prill. Pas kësaj date ka paqartësi të shumta se cilat masa duhet të përdoren për ta parandaluar përhapjen e pandemisë COVID 19./ Tv Malisheva

Share.