Fondacioni “Afër Zemrës” i krijuar nga UNDP në Kosovë, në bashkëpunim me agjensionin NEW MOMENT NEW IDEAS, organizatat BONEVET dhe KOSOVO IDEAS, dhe me mbështetjen e OBSH-së është lansuar sot, me mesazhin ‘Larg syve, afër zemrës’ emërtim ky që e mban edhe tërë fushata.

Ky mesazh përcjell gjendjen aktuale, ku shumica prej nesh i kemi të dashurit larg syve, por vazhdojmë t’i mbajmë afër zemrës.

Qëllimi i projektit është të kontribuojë në ngritjen e fondeve për të blerë pako të testimit për Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Fushata synon të mobilizojë individë vullnetmirë dhe kompani private brenda Kosovës si dhe në diasporë për të kontribuar financiarisht në arritjen e shumës së synuar prej 61,334 euro, dhe rrjedhimisht të siguroj 2500 copë pako të testimit.

Ekziston një kërkesë e menjëhershme për pako të testimit se pa të dhëna për COVID-19, mjekët nuk mund të kuptojnë numrin e rasteve të konfirmuara dhe se si po përhapet pandemia, andaj nuk mund të përgjigjen në mënyrë të duhur ndaj kërcënimit.

Si përgjigje, ky projekt do të mundësojë mjekët dhe punonjësit shëndetësor të zbulojnë të infektuarit, trajtojnë pacientët dhe të shpëtojnë jetën e njerëzve që janë të kërcënuar aktualisht nga COVID-19.

Mbledhja e fondeve do të bëhet përmes platformës KosovaIdeas – kosovaideas.com

Për të siguruar materialet për testim në tregun e limituar të shkaktuar nga kriza e pandemisë, UNDP në Kosovë do të shfrytëzojë zinxhirin e furnizimit përmes UNDP Global, në mënyrë që këto furnizime të jenë të kualitetit të lartë, me çmim të favorshëm dhe me afat optimal të liferimit./ Tv Malisheva

Share.