Është bërë një muaj prej kur komuna e Malishevës është futur në karantinë për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19.

Kjo komunë aktualisht ka numrin më të madh me të prekur me koronavirus – 69, prej tyre një ka ndërruar jetë dhe 15 janë shëruar.

Në një komunikatë për media, Komuna e Malishevës shkruan se shumë biznese janë dëmtuar dhe njerëzit kanë mbetur pa punë si pasojë e koronavirusit dhe karantinimit të komunës.

“Gjatë një muaji, jemi përkujdesur për të gjitha familjet në nevojë, e sidomos për familjet dhe personat e prekur me COVID-19, si në aspektin e sigurimit të ushqimeve, ashtu edhe për shërbimet shëndetësore, përmes ekipeve mobileve të cilat janë në shërbim 24 orë në ditë. Rol të madh në zbatimin e masave, janë duke luajtur edhe subjektet politike në Malishevë, të cilat pa rezervë po i përkrahin të gjitha masa t. Të qenit në karantinë dhe kufizimi i ushtrimit të veprimtarive bujqësore dhe biznesore, si dhe kufizimi i lëvizjes për qytetarët, pa dyshim që i ka pasojat e veta, pasi shumë biznese janë dëmtuar, shumë persona kanë mbetur pa punë, e po ashtu, do të dëmtohet edhe sektori i bujqësisë, por në fund të fundit, jeta dhe shëndeti i popullatës është mbi të gjitha”, thuhet në komunikatë.

Prej identifikimit të rasteve të para me Covid-19, kjo komuna ka formuar shtabin emergjent për menaxhimin e situatës.

Komuna e Malishevës bën thirrje për qëndrim në shtëpi dhe respektim të rekomandimeve të Institutit në ditët në vazhdim.

“Këto ditë duhet të jemi shumë të kujdesshëm në zbatimin e masave dhe këshillave, për ta ruajtur jetën dhe shëndetin e familjarëve tanë dhe të gjithë vendit. Të jemi të durueshëm vetëm e edhe pak, e pastaj të gjithë së bashku të vazhdojmë jetën”, përfundon komunikata./ Tv Malisheva

Share.