Kancelarja gjermane kërcënoi Rusinë për shkak të sulmit të hakerëve në Bundestagun gjerman në vitin 2015, për të cilat ekzistojnë fakte të forta që është kryer me pjesëmarrjen ruse.
Në përgjigje të pyetjeve nga anëtarët e Bundestagut, Angela Merkel tha sot se një gjë e tillë prish bashkëpunimin bazuar në besim.
“Sigurisht, ne rezervojmë të drejtën të marrim masa kundër Rusisë,” theksoi ajo, duke shtuar se rezultatet e hetimit të prokurorisë flasin qartë për pjesëmarrjen e Rusisë.
Merkel tha se ishte më se e pakëndshme që gjurmët e sulmit çojnë në shërbimin e inteligjencës ruse.
“Kjo më dhemb. Unë luftoj çdo ditë për marrëdhënie më të mira me Rusinë,” tha kancelarja gjermane.
Organet hetimore gjermane kanë akuzuar shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU për sulmin e madh kibernetik mbi Bundestag.
Prokuroria ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër hakerit rus Dimitrij Badin, i cili dyshohet për aktivitete të inteligjencës dhe mbledhjen e të dhënave.
Autoritetet gjermane besojnë se hakeri, për shkak të sulmit të të cilit rrjeti i Bundestag duhej të fiket për disa ditë, është në Rusi./ Tv Malisheva