Mjeku shqiptar në Gjermani, Fahri Beqa ka kërkuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës që nga raporti 24 orësh të largojë frazën se “të vdekurit nga koronavirusi kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se njeh disa persona që kanë vdekur dhe se kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese.
“Të paktën personalisht i kam njohur tre persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese. Sipas statistikave dhe analizave që data-bazës së të vdekurve në Itali, 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë, dmth kanë qenë plotësisht të shëndoshë”, ka shkruar Beqa.
Reagimi i plotë:
IKSHP definitivisht duhet ta largojë nga lajmërimi i përditshëm i rasteve të reja pozitive me Sars-Cov2 dhe të vdekurve nga COVID-19 pjesën e fjalisë ku thuhet “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”.
Të paktën personalisht i kam njohur tre persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese.
Përveç tjerash kjo tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim i vdekjeve. Nga COVID-19 mund të preken dhe mund të vdesin të gjitha moshat dhe të gjithë pacientët me apo sëmundje shoqëruese. Po ashtu edhe mund të shërohen të gjitha moshat dhe pacientët, me apo pa sëmundje shoqëruese. Prandaj nuk është etike e as humane që pacientët me sëmundje shoqëruese të futen automatikisht në kategorinë që ata janë të vetmit që po vdesin nga COVID-19.
Sipas statistikave dhe analizave që data-bazës së të vdekurve në Itali, 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë, dmth kanë qenë plotësisht të shëndoshë.
Prandaj kjo pjesë e fjalisë duhet të hiqet, përndryshe shpërndarja e pasaktë e informacioneve për të vdekurit nga një institucion shëndetësor është ofendim i rëndë dhe mund të ketë edhe konsekuenca juridike që mund të inicohen nga familjarët e të vdekurve.