Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë kërkesë zyrtare rreth çështjes së kthimit në Kosovë të kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Në një deklaratë për media thuhet se Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga mediat në lidhje me ankesat e Pacollit se atij i është anuluar leja për aterrim në Prishtinë.
“Deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e Pacollit. Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, reagime të tilla, si ai i Pacollit, përcjell mesazhe jo të mira të qytetarët.
“Po ashtu, nuk jemi të njoftuar me asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë. Reagime të këtij lloji përçojmë mesazhe të gabuara te qytetarët, të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve”, përfundon deklarata.
Sot më herët, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ‘privim nga lëvizja e lirë’, duke thënë se i është anuluar leja për aterrim në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë./ Tv Malisheva