Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka ftuar sot në takim liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn me të cilin është pajtuar që Kosovës i duhet një qeveri e re, pas shkarkimit të asaj të drejtuar nga Albin Kurti.
AAK ka njoftuar se gjatë takimit është konstatuar që Kosova duhet të gjejë zgjidhje brenda rregullave kushtetuese, për të mos lejuar vakum institucional.
Siç njofton AAK, takimi është zhvilluar e ftesë të Mustafës për të diskutuar gjetjen e rrugës për dalje nga kriza institucionale.
“Gjatë takimit është konstatuar se Kosova si demokraci e konsoliduar dhe Republikë parlamentare, brenda rregullave kushtetuese duhet të gjej zgjidhje, për të mos lejuar vakum institucional. Gjithashtu, kryetari i AAK-së, z. Haradinaj, dhe ai i LDK-së, z. Mustafa, u pajtuan se pas shkarkimit të Qeverisë, me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, shtetit i duhet Qeveri e re për të siguruar përmbushjen e detyrave shtetërore”, thuhet në komunikatën e Aleancës./Tv Malisheva