Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se në takimin e mbrëmshëm, kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje të pa rezervë Qeverisë së re të Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti.

Në një postim në Faceboook, Mustafa shkruan se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale, dhe se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen.

“Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në dikasteret qeveritare. Në takim u theksua se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së , përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së”, shkruan Mustafa në Facebook.

Në takim ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se, siç shkruan Mustafa, vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së, se fundamenti rugovist që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste./Tv Malisheva

Share.