Ndarja e Kosovës është e vetmja mundësi që Beogradi e ka mbajtur në tryezë për më shumë se tre dekada, thotë Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, duke komentuar për Danas një deklaratë të fundit të presidentit serb për mënyrën se si ai dëgjoi për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.
Sonja Biserko thotë se marrëveshja e Brukselit ka ngecur në momentin kur është arritur interpretimi në lidhje me asociacionin e komunave serbe.
“Vuçiq deklaroi në qershor të vitit të kaluar: “Unë jam për demarkacionin dhe nuk kam turp për këtë, por serbët janë kundër tij dhe unë e kuptova mesazhin e njerëzve”. Ne nuk jemi të gatshëm ta dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, edhe kur të gjithë e dinë atë. Njerëzit nuk do ta pranojnë këtë sepse prek emocionet e tyre. Një plan për ndarjen e Kosovës po qarkullon në rrjete të ndryshme sociale. Burime nga Uashingtoni pohojnë se ndarja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Thaçit dhe Vuçiq në Uashington në shkurt të këtij viti. Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësor nëse plani do të ketë sukses apo jo. Shumë varet nga mënyra se si do të vendosë BE-ja, përkatësisht Gjermania dhe Franca”, thotë Biserko.
Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, thotë se Vuçiq ka mbrojtur idenë e shkëmbimit të territoreve gjatë 2017 dhe 2018, por nuk ishte mjaftueshëm i qartë.
“Herë fliste për korrigjim kufijsh, e herë thoshte se nuk duhet që të gjithë të fitojnë të gjitha, e Serbia asgjë”, ka thënë Janjiq.
Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiq është padyshim një përgatitje për një raund të ri bisedimesh politike për Kosovën me emisarin e presidentit amerikan Richard Grenell.
“Kishim vetëm të ashtuquajtura bisedime politike dhe ekonomike. Por një raund i ri bisedimesh me Lajçak dhe BE po afron qartë. Pritja është më e rrezikshmja. Dhe nuk besoj se Vuçiq po pret diçka”, tha Janjiq./ Tv Malisheva