Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi sot ka vizituar komunën e Vushtrrisë, ku është pritur nga i pari i kësaj komunë, Xhafer Tahiri.
Me të përfunduar takimin në ambientet e komunës ministri Krasniqi, bashkë me kryetarin Tahiri, kanë vazhduar vizitën për tek Zona Ekonomike në këtë komunë për të parë nga afër punimet që janë duke u bërë në këtë zonë.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se Zona Ekonomike në Vushtrri do të jetë mundësi e mirë për bizneset derisa ka theksuar se punët aty do të finalizohen në fund të nëntorit.
Krasniqi: Nga kjo Zonë Ekonomike do të kenë mundësi të përfitojnë 23 biznese
“Jemi në një Zonë Ekonomike, në një zonë industriale që komunës tuaj, do t’i ofroj shumë mundësi të mira bizneseve të cilat janë të interesuara të prodhojnë…Ne së bashku me juve këtë projekt besoj se deri në fund të nëntorit do të finalizojmë dhe do të ketë mundësi që nga komuna të përfitojnë 23 biznese prodhuese… po shihet që punimet janë në fazën përfundimtare dhe jemi të kënaqur me vazhdën e punimeve, besoj që do të finalizohet”, ka thënë Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka thënë se është diskutuar për dy investitor të cilët komunën e Vushtrrisë do ta kthejnë në zonë premtuese për bizneset.
Krasniqi: Komuna e Vushtrrisë do të kthehet në një zonë biznesore
“Diskutuam në takim në komunë edhe për dy investitorë që janë mjaftë të rëndësishëm, investitor strategjik që do të kenë rastin të investojnë në komunën e juaj, dhe kështu komuna e Vushtrrisë do të kthehet në një zonë biznesore, në një zonë premtuese për bizneset prodhuese dhe ato tregtare.”, thotë Krasniqi.
Ministri Krasniqi ka thënë se kjo nuk është zona e fundit dhe do të krijohen zona ekonomike të reja edhe në komunat tjera, ku do t’i jepet hapësire të gjitha bizneseve në çdo komunë që të kenë mundësi që ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
E i pari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka folur për investimet strategjike që po bëhen në këtë komunë.
Tahiri: Dy projekte të mëdha do të bëhen ne komunën e Vushtrrisë
“Të premten, komisioni ndërministror të cilin e udhëheq ministri ka hap rrugë për një numër të investimeve strategjike në Kosovë, por dy prej tyre janë në komunën e Vushtrrisë, dhe vlera e këtyre dy projekteve kap shumën prej 145 milion euro. “Qyqavica Uint Farm që ka kaluar fazën e parë dhe tash është në grup operacional, vlera e investimit është mbi 100 milion euro dhe pastaj edhe në sektorin e minierave do të kemi një investitor tjetër strategjik vlera e të cilit është mbi 45 milion euro. Këto dy investime pritet të kompletohen në afat 5 vjeçar dhe natyrisht që ministri i ka dhënë një shtytje të re dhe jam i lumtur që komuna e Vushtrrisë do të jetë përfituese nga sektori privat, që do ta transformojnë Vushtrrinë dhe do t’i dhënë vlerë të shtuar edhe Kosovës”, ka thënë Tahiri.