Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur të premten për nder të Ditës së Çlirimit. Përmes një seance solemne është përkujtuar 12 qershori i vitit 1999. Aty kryeparlamentarja, Vjosa Osmani kërkoi unitet për një paqe të qëndrueshme me Serbinë. Por theksoi se ajo duhet të arrihet duke ruajtur dhe mbrojtur çdo pëllëmbë të sovranitetit të vendit.
Kryetarja Osmani në përvjetorin e 21 të Çlirimit përkujtoi të gjithë dëshmorët për liri, derisa theksoi se asnjëherë nuk duhet të harrohen viktimat, të pagjeturit dhe vuajtjen e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës.
Osmani: Sot duhet të jemi unik për një paqe të qëndrueshme
“Siç ishim unik dikur për lirinë si akt sublim, sot duhet të jemi unik për një paqe të qëndrueshme. Duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të tij. Ne jemi të gatshëm të kultivojmë paqen dhe stabilitetin rajonal siç kemi bërë gjithnjë”, u shpreh Osmani.
Kryeparlamentarja para deputetëve tha se rrugëtimi i Kosovës nuk do të përmbyllej asnjëherë pa përkushtimin e miqve ndërkombëtarë të vendit.
Osmani: Rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurrë pa përkushtimin e miqve tanë
“Rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurrë pa përkushtimin e miqve tanë gjithandej globit të cilat Lëvizja i krijojë dhe i ruajti me përkushtim. Të cilat populli i Kosovës në çdo cep të saj i krijoi dhe i ruan edhe sot”, tha ajo.
Krahas kësaj tha se veprimtarët që luftuan për liri dhe pavarësi të Kosovës do të kujtohen përgjithmonë.
Osmani: I kujtojmë me dhimbje edhe mbi 1600 të pagjeturit tanë
“I kujtojmë me dhimbje edhe mbi 1600 të pagjeturit tanë. Bijtë e nënë Ferdonijes dhe shumë nënave tjera të cilat i kemi në vëmendje. I kemi në mendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës. I kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë fëmijët e pleqtë dhe gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi të cilët sakrifikuan çdo gjë që sakrifikuan për lirinë e vendit të tyre”, tha ajo.
Në këtë seancë solemne u paraqiten edhe disa video-mesazhe nga miqtë ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë kongresmenin, Eliot Engel të cilët shprehën urimet më të mira për vendin./Tv Malisheva