Është nënshkruar marrëveshja 47 milionëshe për reformën në ndihmat sociale në Kosovë. Marrëveshja për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë” është nënshkruar ndërmjet ministrit të Financave Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci.
“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Murati dhe Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, z. Paolucci, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e financimit për ‘Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë'”, thuhet në komunikatën për medie nga Ministria e Financave.
Në komunikatë thuhet se “Ministri Murati vlerësoi lartë mbështetjen e Bankës Botërore në procesin e reformës sociale në Kosovë dhe theksoi se kjo marrëveshje ka një vlerë të lartë për Republikën e Kosovës duke marrë parasysh nevojën e përmirësimit të targetimit të politikave sociale drejt familjeve më në nevojë. Plani i Qeverisë së Kosovës i jep rëndësi të madhe programeve sociale të cilat sigurojnë që të minimizohet varfëria dhe të zvogëlohet pabarazia ekonomike në vend. Andaj, marrëveshja e nënshkruar sot siguron që targetimi i këtyre politikave të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe angazhimi i Bankës Botërore drejt këtij qëllimi është tejet i mirëseardhur”.
Kjo marrëveshje arrin vlerën deri në 47 milionë euro, ku investimet për përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale pritet të jenë rreth 5 milionë euro, ndërsa sic thuhet në komunikatë, shuma prej më se 40 milionë do të orientohet drejt përmirësimit të performancës së Skemës së Ndihmës Sociale. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon edhe zbatimin e masës 3.3 – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Komunikata vazhdon me atë se “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar drejt dizajnimit dhe avancimit të politikave që synojnë ngritjen e mirëqenies qytetare në vend”./TV Malisheva