Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi për Projektin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Prishtinë.
Qëllimi i këtij memorandumi është rregullimi i detyrave dhe përgjegjësive të palëve nënshkruese për implementim të plotë dhe të suksesshëm të projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë dhe përreth.
Ky memorandum i hap rrugë fillimit të procedurave të implementimit të projektit pasi që i qartëson kompetencat në mes të dy palëve dhe siguron zotimin e mjeteve nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.
Ky memorandum rrjedh si rezultat i Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Franceze për bashkëpunim financiar. Këtij memorandumi i ka paraprirë edhe Marrëveshja e Implementimit.
Fondet e projektit përcaktohen në përputhje me ndarjen buxhetore të vitit përkatës fiskal, ku nga ndarja buxhetore e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit u vihen në dispozicion KRU “Prishtina” dhe vënia në dispozicion e fondeve kërkon një bashkëpunim dhe ndërveprim të vazhdueshëm të palëve për ta zbatuar projektin për trajtimin e ujërave të zeza në tërësi./Tv Malisheva