Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas largimit të disa nga anëtarët e kësaj partie, duke thënë se në këto momente të vështira për shtetin tonë, kur na duhet uniteti, partnerët politikë vazhduan me joshje të anëtarëve tanë dhe forma të tjera të presionit, vetëm e vetëm që të dëmtojnë Nismën.

“E dimë se në të gjitha partitë politike ka njerëz lakmitarë që interesat e veta i vënë jo vetëm mbi partinë, por edhe mbi interesat e kombit dhe ato të shtetit. Dhe të tillët e tregojnë fytyrën e vërtetë në momentet më kritike”, thuhet në reagimin e Nismës.

Komunikata e plotë:

Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe votues të Nismës Socialdemokrate;

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Që nga iniciativa për themelimin e NISMËS Socialdemokrate, ne jemi ballafaquar me përpjekjet e vazhdueshme që të minohet krijimi i kësaj force të re politike. Këto përpjekje dashakeqe morën përmasa shumë më të mëdha gjatë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2014. Gjatë kohës kur të gjithë dalin në fushatë për të bindur elektoratin për programet e tyre, një fushatë e paparë deri atëherë filloi kundër nesh, me qëllim që të pamundësonin përfaqësimin e votuesve të NISMËS Socialdemokrate në Kuvendin e Kosovës.

Anëtarët dhe simpatizantët e partisë sonë e përjetuan shumë rëndë këtë fushatë shpifjesh, intrigash dhe joshjesh që përdoreshin kundër nesh, sepse vinte kryesisht nga njerëz me të cilët kemi pasur një të kaluar të përbashkët. Sidoqoftë, askush nuk mundi ta ndalë vullnetin e dhjetëra mijëra votuesve që u mobilizuan për të ngadhënjyer mbi intrigantët dhe shpifësit: NISMA Socialdemokrate atëherë (NISMA për Kosovën) u bë pjesë e Kuvendit të Kosovës!

Duke e vënë në rend të parë interesin shtetëror, NISMA Socialdemokrate i tejkaloi të gjitha ndërskëmbësat që na i vunë gjatë rrugëtimit tonë dhe zbatoi politikën e harmonizimit të qëndrimeve në interes të Kosovës. Fatkeqësisht nga partnerët politikë të cilëve u ofruam mbështetje dhe ata që e kanë gojën plot premtime se “janë njerëz që e mbajnë fjalën”, për asnjë çast nuk i ndërprenë veprimet e tyre kundër nesh! Përkundrazi, në të gjitha rastet që u është dhënë mundësia, ata janë përpjekur ta dëmtojnë NISMËN Socialdemokrate. Përpjekjeve për shkatërrimin e zërit të votuesve të NISMËS Socialdemokrate iu shtuan edhe forca të reja politike, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Përkundër të gjitha metodave që u përdorën për të na lënë jashtë Kuvendit të Kosovës, ngadhënjeu vullneti i pathyeshëm i anëtarëve dhe i simpatizantëve të NISMËS.

Duke parë kontekstin historik nëpër të cilin kalon vendi ynë dhe rreziqet me të cilat ballafaqohet Kosova, NISMA Socialdemokrate doli me qëndrim për harmonizimin e qëndrimeve dhe bashkërenditjen e veprimeve në funksion të përballjes me padrejtësitë ndaj luftës së drejtë të UÇK-së. Dhe pikërisht në këto momente të vështira për shtetin tonë, kur na duhet uniteti, ata që rrahin gjoks se “janë njerëz të fjalës” vazhduan me joshje të anëtarëve tanë dhe forma të tjera të presionit, vetëm e vetëm që të dëmtojnë NISMËN Socialdemokrate!

E dimë se në të gjitha partitë politike ka njerëz lakmitarë që interesat e veta i vënë jo vetëm mbi partinë, por edhe mbi interesat e kombit dhe ato të shtetit. Dhe të tillët e tregojnë fytyrën e vërtetë në momentet më kritike.

Sidoqoftë, ne nuk do të ndryshojmë orientimin tonë politik për të vënë në rend të parë interesat e vendit dhe kemi bindjen e plotë që kjo gjë mund të realizohet edhe më mirë pa ata që vënë interesin e tyre personal në rend të parë. Jemi të sigurt se të gjitha përpjekjet dashakeqe kundër nesh do të dështojnë, sepse vullneti i anëtarëve, i simpatizantëve dhe i strukturave udhëheqëse të NISMËS Socialdemokrate është shumë më i madh se lakmitë dhe intrigat e dikujt tjetër!

Share.