Gjatë shqyrtimit të dytë të rishikimit të buxhetit, dy amendamentet e propozuara nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për parandalimin e përhapjes së pandemisë nuk kanë marrë votat e mjaftueshme nga deputetët.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se meqenëse ende nuk dihet sesa zgjatë pandemia, është e nevojshme të ndahen mjete për shpërndarjen e maskave falas për qytetarët.
Po ashtu nuk ka kaluar as amendamenti numër 43 për blerjen e vaksinave për të moshuarit mbi 65 vjeç.
Osmani: Dhjetëra amendamente për asfalt kaluan, ndërsa për pandeminë ka rezerva
“Shumica dërmuese e amendamenteve që deri tash ne i miratuam kishin të bënin me asfalt ose me shpenzime të tjera të cilat nuk lidhen në fakt me pandeminë. Duke ditur që prioriteti numër një duhet të jetë pikërisht mbrojtja e jetës së qytetarëve kam propozuar meqenëse qeveria ka vendosur pavarësisht pikëpyetjeve për bazën ligjore ka vendosur që të jetë e obligueshme bartja e maskave që ne t’i ndihmojmë qytetarët tanë ashtu siç e kanë shumë shtete të tjera anë e kënd botës. Që të përballojnë edhe këtë shpenzim sa do që dikujt mund t’i duket i vogël, mirëpo duke pasur parasysh përqindjen e qytetarëve që jetojnë në varfëri ekstreme në Kosovë, ne duhet t’i ndihmojmë edhe në përballimin e këtij shpenzimi”, tha Osmani.
Ndërsa ka reaguar ministrja e Financave Hykmete Bajrami, duke thënë se në stoqet Ministrisë së Shëndetësisë ka maska të mjaftueshme.
Bajrami: MSh-ja ka maska me bollëk, s’ka nevojë
“Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dola t’iu them këtu që janë 500 mijë maska të cilat Ministria e Shëndetësisë i ka në stok për momentin dhe është duke i shpërndarë nëpër komuna, ndërsa janë 600 mijë të tjera të cilat vijnë me 1 shtator. Kështu që ka sasi të mjaftueshme”, tha Bajrami.
Ajo ka shtuar se me rishikim për Ministrinë e Shëndetësisë janë ndarë tre milionë euro më shumë për produkte farmaceutike, edhe për vaksina.
Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar për blerjen e vaksinave, duke thënë se nuk ka kosto të caktuar, edhe pse tha se është ide e qëlluar./Tv Malisheva