Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka propozuar në seancën e sotme plenare propozim-rezolutën katër pikëshe nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun.

Ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për propozim-rezolutën duke ftuar ata që të përmbahen në cilësime.

Selimi: Do t’ju kisha lutur që të përmbaheni së paku në cilësime

“Do t’ju kisha lutur që të jeni të përmbajtur së paku në cilësime, sepse pastaj ky kthehet në të njëjtën monedhë. Nëse cilësohemi ne të tjerët që nuk e mbështesim një ligj që i kemi dhënë qëndrimet tonë siç ishte ai më herët për vlerat e luftës së UÇK-së, si një ligj jo i duhur për materien që trajton, atëherë kjo nuk do të duhej t’i jepte të drejtën askujt që të abuzonte me materien, e as të cilësonte kolegët tjerë, siç ndodhi këtu zonja nënkryetare, ku deputetët që nuk e votojnë një ligj të trimave u quajtkan frikacakë”, theksoi ai.

Selimi tha se në këtë propozim-rezolutë theksohet se Qeveria Hoti, e asnjë përfaqësues tjetër i Kosovës nuk mund të diskutojë e të cenojë integritetin territorial të vendit.

Selimi: Ujmani dhe asnjë aset tjetër nuk mund të negociohet

“Qeveria Hoti e as të emëruarit e saj, përfshirë edhe çdo përfaqësues apo zyrtarë publikë të Kosovës, nuk mund të diskutojnë, dialogojnë, apo negociojnë për sovranitetin, integritetin territorial, karakterin unitar, rendin kushtetues të Kosovës, asetet strategjike e pasuritë e Kosovës e as për çështje të rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës. 2. Kuvendi i Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedimi, a dialogu që rikthejnë çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë si temë. Asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet që të bisedojë për këtë çështje. 3. Ujmani si liqen artificial është pronë dhe aset tërësisht i Kosovës, i ndërtuar me fondet të Kosovës dhe menaxhohet nga Kosova. Si i tillë Ujmani dhe asnjë aset, a pronë tjetër e Kosovës kudo që ndodhet, ajo nuk mund të negociohet”, ka theksuar ai.

Në pikën e katërt të kësaj rezolute, Selimi tha se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në asnjë nismë apo angazhim, apo marrëveshje përfshirë edhe atë në Novi Sadit të vitit 2019, ku synohet treg i përbashkët me disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Propozim-rezoluta ka marrë 26 vota pro dhe dy kundër, kështu që nuk ka pasur vota të mjaftueshme për vendimmarrje.

Share.