Oda e Afarizmit të Kosovës i’u drejtua me kërkesë kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, përmes së cilës kërkoi të ndërmerren hapat e nevojshëm për të aktivizuar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE).

Oda nëpërmjet një komunikate për media, sqaron se në bazë të rregullores nr.01/2015 për punën e Këshillit Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, neni 3 përmes së cilit rregullohet fushë veprimtaria e Këshillit theksohet që “Organizon dhe harmonizon aktivitetet e institucioneve shtetërore me qëllim të eliminimit të barrierave dhe adresimit të sfidave të të bërit biznes në Republikën e Kosovës që ndikojnë në përmirësimin e ambientit për biznes dhe investimeve në Republikën e Kosovës.”

“Njëkohësisht, sipas po kësaj Rregullore Paragrafi 1 i Nenit 6, përmes së cilës rregullohet organizimi i takimeve të Këshillit, thuhet që “Këshilli takohet së paku njëherë në tre muaj, por mund të takohet edhe më shpesh varësisht nga çështjet e kërkuara për shqyrtim nga Kryeministri, Ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë apo me kërkesën e së paku tre (3) anëtarëve të Këshillit.”, thuhet në komunikatën e OAK.

Sipas Odës së Afarizmit të Kosovës, KKZHE ani pse është i obliguar me rregullore të takohet së paku një herë në tre muaj, e sipas nevojës mund të takohet edhe më shpesh, gjatë vitit 2018 nuk është mbledhur asnjëherë, në vitin 2019 është mbledhur dy herë ndërsa në vitin 2020 gjatë muajit prill është realizuar një mbledhje e vetme (duke mos përfshirë takimet e grupeve punuese).

“Ndërsa, që nga periudha e krijimit të Qeverisë së re, KKZHE deri më tani nuk ka realizuar asnjë mbledhje edhe pse gjatë kësaj periudhe nga Qeveria janë marrë vendime të rëndësishme nga të cilat preken bizneset. OAK theksoi që në bazë të Vendimit Nr. 05/24 të datës 17.04.2015 KKZHE ndër të tjera inicion akte ligjore dhe nënligjore, për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e ambientit për biznes, analizon legjislacionin ekzistues dhe nevojat për përmirësime, miraton plane operative për përmirësimin e ambientit për biznes dhe investime dhe përkrah fuqizimin e komunitetit të biznesit në procesin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Nisur nga kjo OAK konsideron që mbledhja sa më e shpejtë e Këshillit është e domosdoshme dhe njëkohësisht si pjesëmarrës të përfshihet edhe Ministri i Shëndetësisë, marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi si rezultat i pandemisë”, thuhet në komunikatë./Tv Malisheva

Share.