Në shënimin e Ditës së Forcës, Vjosa Osmani e cila po ushtron detyrën e postit të presidentit të Kosovës, tha se FSK-së i duhet mbështetje buxhetore e institucionale për të përfunduar procesin e tranzicionit. Në cilësinë e komandantit suprem të FSK-së, Osmani ka thënë se duhet siguruar mjetet e mjaftueshme që transformimi i FSK-së në ushtri të ndodh edhe më herët se 10 vjet, sa e parasheh plani gjithëpërfshirës i tranzicionit.
Për shkak të infektimit me koronavirus, Vjosa Osmani u është drejtuar ushtarëve të Kosovës përmes videos, për të cilët ka thënë se janë të përgatitur sipas standardeve më të larta dhe të gatshëm të marrin pjesë në operacione të paqes.
Osmani: Transformimi i FSK-së mund të ndodhë edhe më herët se parashikimet
“Buxheti i FSK-së duhet të jetë i paprekshëm Kosova duhet të sigurojë mjetet e mjaftueshme për të siguruar që transformimi i FSK-së të ndodh edhe më herët se parashikimet e planifikuara. Republika e Kosovës duhet që shumë shpejtë të bëhet eksportuese e sigurisë jashtë territorit tonë, paqebërese e paqeruajtëse e aleatëve tanë Në mënyrë që ky tranzicion të përfundojë, duhet mbështetje buxhetore e institucionale për Forcën tonë. Andaj ju garantoj se mbështetjen time si komandante supreme në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentit, do ta keni përherë dhe në këtë drejtim si dhe në çdo përpjekje e veprim tuajin drejtë forcimit të kësaj shtylle, aq të rëndësishme të shtetit tonë, do të jemi bashkë”, tha ajo.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vlerësimi që i bëjnë qytetarët e Kosovës FSK-së, si institucioni më i besueshëm në vend, është rezultat i praktikave të duhura në Ministri të Mbrojtjes dhe udhëheqjes së mirë të FSK-së.
Aty, ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilën ka thënë se duhet të mbyllet me njohje reciproke.
Hoti: UÇK ka bërë luftë për liri e pavarësi, nuk kemi pse të pengojmë punën e drejtësisë
“Vrasjet e civilëve shqiptar janë bërë në mënyrë të organizuar nga aparati shtetëror i kohës së Millosheviqit dhe ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, miqve tanë ndërkombëtar që të shtojmë presionin ndaj Serbisë në mënyrë që Beogradi zyrtar të mos pengojë edhe më tej kërkimet për gjetjen e zbulimin e këtyre varrezave… Populli i Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë bërë luftë të drejtë, luftë mbrojtëse për pragu ne derës, për liri e pavarësi, madje ne nuk kemi çka të fshehim, nuk kemi pse të pengojmë punën e drejtësisë, ne kemi kërkuar me ngulm që dy dekada dhe do të kërkojmë përherë që drejtësia të thotë fjalën e plotë të saj dhe gjithë fajtorët e krimit që ka ndodh në Kosovë të vihen para drejtësisë”, tha Hoti.
Në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni bëri të ditur se kanë arritur të përmbushin objektivat vjetore, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.
Quni: Ministria e Mbrojtjes dhe FSK kanë përmbushur objektivat vjetore
“Sot me krenari, përkundër sfidave që kaluam e po kalojmë në përballje me krizën e pandemisë Covid-19, ju njoftoj se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK me te gjitha kapacitetet e tyre kanë arritur me sukses të përmbushin objektivat vjetor. Kontributi i partnerëve tanë ishte dhe mbetet jetik në zhvillimin tonë si Forcë me standardet më të larta të NARTO-s, e ndërveprueshme dhe e gatshme për pjesëmarrje efektive në operacionet e përbashkëta shumëkombëshe paqëruajtëse”, tha ai.
FSK ka filluar procesi ne tranzicionit dy vjet më parë, për të cilin komandanti i Forcës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se është transparent dhe në koordinim të plotë me të gjithë akterët, vendorë e ndërkombëtar.
Rama: Sfidë para nesh bërja e FSK Forcë me kapacitete mbrojtëse
“Tani kemi një sfidë më të madhe para nesh, që të bëjmë Forcën e Sigurisë së Kosovës Forcë me kapacitete mbrojtëse, që është e aftë të mbrojë vendin dhe të jetë kontribuuese e sigurisë regjionale por edhe globale”, tha gjeneral Rama.
Ai kërkoi nga ushtarët, të jenë edhe më të përkushtuar drejtë arritjeve të synimit të Forcës.
Në këtë ceremoni, që u përcjellë me performancë nga orkestra frymore e FSK-së. u bë i ditur edhe vendimi i ministrit të Mbrojtjes dhe komandantit të FSK-së, për ndarjen e medaljeve dhe mirënjohjeve për pjesëtarët e Forcës.