Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani priti sot përfaqësuesit e “Handikos Prishtina” dhe të Shoqatës së të verbërve. Përfaqësuesit e këtyre organizatave e njoftuan Osmani me sfidat me të cilat po ballafaqohen personat me nevoja të veçanta në Kosovë, e sidomos me problemin me mungesën e qasjes, si dhe me vështirësitë të cilat po i shoqërojnë ata gjatë kohës së pandemisë.

Sipas tyre, shqetësues është sidomos fakti që politikat për menaxhimin e pandemisë i kanë shpërfillur pothuajse tërësisht nevojat e personave me nevoja të veçanta.

“Mbështetur në të gjeturat e raportit ‘Standardet ndërkombëtare mbi çështjet e aftësisë së kufizuar: Ku qëndron Kosova?’, korniza ligjore aktuale për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë është vetëm 30% në përputhje me acquis communautaire”, tha Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”-it.

Kryetarja Osmani, ndërkaq, theksoi se është i domosdoshëm plotësimi i kornizës ligjore dhe se ky do të ishte vetëm hapi i parë drejt plotësimit të nevojave të këtij komuniteti, i cili duhet të pasohet me zbatim të plotë të legjislacionit dhe krijim të kushteve dhe infrastrukturës së duhur për realizimin e të drejtave bazë të këtij komuniteti.

“Mbështetja dhe iniciativa e Kuvendit për plotësim të legjislacionit në përputhje me ‘acquis communautaire’ nuk do të mungojë. Fakti që korniza jonë legjislative është vetëm 30% në përputhje me të, është dëshmi që ne kemi ende shumë punë për të bërë, prandaj është e nevojshmë të fillojmë të aplikojmë një qasje më proaktive si institucione”, tha znj. Osmani

Më tej, ajo theksoi që pandemia na e ka dëshmuar edhe një herë rëndësinë që ka shëndeti i qytetarëve për mirëqenien e përgjithshme, andaj, politikat tona zhvillimore duhet të jenë të tilla që ta vënë shëndetin në rend të parë dhe që këto politika të përpilohen duke marrë për bazë mirëqënien e qytetarëve të të gjitha kategorive.

“Përfundimisht, politikëbërësit duhet ta kuptojnë që qytetarët me nevoja të veçanta nuk duhet të shihen si barrë, por si potencial për zhvillim, andaj ne duhet të mobilizohemi që t’ua krijojmë atyre kushtet e duhura që ata të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë në shoqëri”, tha znj. Osmani.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që në të ardhmen ta thellojnë edhe më tej bashkëpunimin edhe ashtu të mirë të deritashëm, në mënyrë që të punojnë së bashku në përplotësimin e kornizës ligjore, me qëllim që ligjet e vendit të jenë reflektim i drejtpërdrejtë i nevojave të identifikuara nga personat me nevoja të veçanta. /Tv Malisheva

Share.