Në objektin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së kanë arritur edhe disa dokumente të tjera, që sipas drejtuesve të organizatës, janë dosje nga Gjykata Speciale.
Personin që i ka sjellë ato, ata e kanë quajtur “Rrufeja 3”, dhe sipas tyre, aty flitet për përgatitje të aktakuzave për pesë persona, drejtues të UÇK-së.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, drejtuesit e OVL-UÇK deklaruan se ishin në një takim me KFOR-in gjerman në kohën personi i panjohur për ta i ka sjellë dokumentet.
Kryetari Hysni Gucati tha se duhet të hetojë prokuroria vendore e ndërkombëtare rreth kësaj çështje, për të zbuluar se nga po vinë këto dokumente dhe kush po i sjell në zyrat e tyre.
Gucati: “Rrufeja 3” ka sjell në zyrat tona përsëri dosje të reja
“Sot prap, ‘Rrufeja 3’ po i them, ka qenë më i shpejtë se rrufeja, sot vetëm në korridor i ka gjuajtur dhe ka ikur shkallëve. Sa faqe janë dosje nuk e di se nuk i kemi numëruar, se nuk patëm kohë se diku rreth orës 15 në 11, kanë ardhur dosje të tjera, këto dosje janë që ne supozojmë dhe besojmë që janë të dalura nga Gjykata Speciale e Kosovës, ose e Hagës se ne nuk e llogarisim që është e jona. Ka figura të ndryshme, emra të ndryshëm që ne nuk jemi të autorizuar t’i përmendim këta emra. Është mirë që çdo gjë të hetohet edhe nga Prokuroria e vendit por edhe nga ndërkombëtarët, me ditë kush po i sjell dhe nga po dalin e po vinë të ne”, tha ai.
Sipas drejtuesve të organizatës, në dokumente flitet për përgatitje e aktakuzave që pritet të ngriten, ndërkohë deklaruan se ishin në një takim rutinë me KFOR-in gjerman në kohën kur dikush I ka sjellë dokumentet.
Gucati: Edhe KFOR-i gjerman ka qenë prezent kur kanë arritur dosjet
“Ne nuk i kemi fshehur KFOR-it gjerman, i kemi treguar fletë për fletë, edhe i ka fotografuar KFOR-i gjerman”, tha ai.
Nënkryetari Nasim Haradinaj tha se dokumentet flasim më shumë për një draft-aktakuzë.
Haradinaj: Dosja përmban draft-aktakuzë për pesë të akuzuar potencial
“Në atë anglishten time të cunguar, unë e shoh më tepër që është një draft-aktakuzë për aktakuzë, dhe çka lexojmë këtu thotë për pesë të akuzuar potencial që përmenden këtu emrat e tyre siç është Hashim Thaçi, Azem Syla, Jakup Kransiqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, shihet që përmenden shumë, me Xhavit Halit, me njerëz të luftës. Por cka më bëri përshtypje është se flitet për Jabllanicë, Likoc, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajicë e Shalës, Llapashticë, Kleçkë, Zllashi”, tha nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj.
Haradinaj tha se personi që i ka sjellë dokumentet ka lënë porosi që tani e tutje do të sjellë CD me të dhëna.
Haradinaj: Personi që ka sjellë dosjet ka lënë porosi që tash e tutje do të sjellë vetëm CD
“Ka lënë porosinë që tash e tutje do të sjellë CD dhe jo më dosje. Ne e mirëpresim atë me CD nëse dëshiron ta sjellë. Asnjë përgjegjësi tjetër ne nuk e kemi, ju gazetarët i dini vendet e juaja, ne avokati na ka konsultuar që përveç këtyre emrave që janë këtu, ka emra në bazë të çkafit janë ngritur aktakuzat, janë emra e të dhëna të shumë njerëzve këtu, përmenden emrat, Naim Miftari, shumë njerëzve këtu”, tha ai.
Ai tha se dokumentet janë kopje nga dokumentet origjinale.
Haradinaj theksoi se nuk e kanë për qëllim mbulimin e krimeve, siç tha ai, nëse ato ekzistojnë, por që e kanë obligim t’i mbrojnë anëtarët e tyre.
Sot u shënua hera e tretë që në zyret e OVL-UÇK po arrijnë dokumente, që sipas drejtuesve, janë dosje nga Gjykata Speciale. /TV Malisheva