Partia Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë, ka akuzuar Komunën e Mitrovicës për një sërë shkeljesh të pasqyrave financiare gjatë vitit 2019, të cilat janë publikuar nga Zyra Kosovare e Auditimit për këtë komunë.
Nënkryetari i PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri, gjatë një konference për media të mbajtur sot, ka potencuar 20 shkeljet e gjetura nga ZKA, duke përmendur keq klasifikimin e shpenzimeve në kategori ekonomike jo adekuate, parregullsi në kalkulimin e të hyrave nga tatimi në pronë, parregullsi në lëshimin e lejeve të ndërtimit, nënshkrimin e kontratave përtej vlerës së parashikuar të buxhetit etj.
Tahiri: Projektet që kanë tejkaluar vlerat e parashikuara
“Projekti ‘Rregullimi i shtratit të lumit Sidnica’ në Mitrovicë vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tre vite ishte 3 milionë e 100 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë 6 milionë e 45 mijë 726 euro, me një diferencë prej 2 milionë e 945 mijë e 726 euro. Pastaj ‘Rregullimi i shtratit të lumit Ibër’, vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tre vite ishte 950 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë prej 1 milion e 777 mijë e 427 euro, apo 827 mijë e 427 euro më e lartë se vlera e parashikuar”, ka thënë mes tjerash Tahiri.
Ai ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit dhe organeve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme, pasi që siç u shpreh ai, duke ju referuar raportit, tashmë ekzistojnë arsyet ligjore që kryetari i komunës dhe drejtuesit e tjerë të jenë subjekt trajtimi nga këto organe.
Tahiri: Raporti i auditorit, subjekt trajtimi për hetuesinë
“Të gjitha këto veprime të prezantuara në raport dëshmojnë për shkelje të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Kjo dëshmon për veprat penale që janë bërë nga kryetari i komunës. Këto veprime do të duhej që kryetarin aktual ta gjenin duke u ballafaquar me drejtësinë në bankën e të akuzuarve… Ju bëj thirrje prokurorisë së vendit dhe organeve të tjera kompetente, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe të menjëhershme, pasi që tashmë ekziston arsyeja ligjore, duke ju referuar raportit të auditorit, që kryetari i komunës dhe drejtuesit e tjerë të jenë subjekt trajtimi për hetuesinë”, theksoi Tahiri./Tv Malisheva