Me përplasje të mëdha mes anëtarëve, është shoqëruar Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Ky komision ka dështuar dhe ende pa filluar anëtarë të LVV-së dhe PDK-së kanë shprehur pakënaqësi për kohën sa ka pasur në dispozicion ministri për Punë të Brendshme, Agim Veliu. Ky i fundit ka thënë para se të fillonte raportimin e tij, tregoi se nuk ka shumë kohë që të qëndrojë në këtë komision për të raportuar.

Veliu tha se kur e ka marr ftesën i ka paralajmëruar se nuk ka kohë që të qëndrojë shumë, por siç tha ai këtë nuk e kanë marr parasysh.

Ministri Agim Veliu tha se për shkak të mbledhjes së qeverisë duhet të përfundojë para orës 11:00.

Veliu: Unë kam njoftuar me kohë që nuk kam kohë më tepër se 45 minuta

“Unë kam pasur dy-tri ftesa që të paraqitem para komisionit, mirëpo për shkak të angazhimeve, unë kam kërkuar që ato termine të ndryshohen. Një raportim e kam anulua vet për arsyeje se ka qenë një ftesë e zbrazët, dhe nuk kam pasur kurrfarë agjende pse duhet të paraqitem para jush. Kështu që e kam refuzuar atë takim. Këtë e kam pranuar për ditën e sotme, por unë përmes kabinetit kam njoftuar me kohë që për shkak të mbledhjes së qeverisë që është në ora 11:00, nuk do të kem kohë më tepër se sa 45 minuta apo 50 minuta, sepse pak minuta para orës 11:00 unë duhet të largohem nga këtu. Njoftimin e kam bërë me qëllim që të jetë në mundësinë tuaj a e pranoni që ta organizojmë këtë takim, apo kërkoni që ta shtyeni për një ditë tjetër”, ka deklaruar Veliu.

Ndërsa, anëtari i LVV-së, Rexhep Selimi tha se kjo kohë është hajgare, dhe se 45 minuta janë të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Selimi: Nuk jeni këtu në konferencë për shtyp

“Këtu nuk jeni në konferencë për shtyp 45 minuta, por këtu jeni në komision për siguri, të cilit i keni obligim ligjor t’i raportoni. Prandaj për mu është e papranueshme, me bo show, me ardh 45 minuta këtu, e tash të kanë mbet veç 30 minuta. Edhe pastaj me thonë që ke raportua. Unë po kërkoj prej jush hajdeni një ditë tjetër kur të keni kohë, mund ta vazhdojmë një ditë tjetër mbledhjen e komisionit”, ka shtuar ai.

Për këtë ka reaguar edhe Veliu, i cili tha se e di ku është dhe çfarë duhet të bëjë.

Veliu: Unë e di ku jam dhe çfarë bëjë

“Z. Selimi unë çdo herë e di ku jam dhe çfarë bëjë. Mos u merakosni për atë punë”, tha ai.

Për këtë edhe Bekë Berisha tha se ministri nuk duhet të imponojë kohën se sa të raportojë para anëtarëve.

Berisha: Nuk duhet të na tregojë ministri kohën kur vjen në dëgjim te komisioni

“Nuk duhet me imponuar apo me tregu kohën ministri kur vjen në dëgjim te komisioni. Sepse dihet që komisioni është në mbikëqyrjen e ministrisë dhe jo anasjelltas. Është krijuar një situatë tash edhe te ministri i Mbrojtjes, por e pash këtë qasje edhe te ministrat e tjerë. Kjo gjendje është krijuar për shkak të disa gjërave që po ndodhin në komisione siç e pam dje, për shembull ministri vjen këtu e ka detyrën me ardh, por duhet me pas kujdes edhe qysh sillen deputetët pastaj. Kemi pasur sjellje shumë të këqija, na ka prek shumë dhe ka qenë e papranueshme sjelljet që kanë ngjarë dje. Një histeri edhe ato gjeste me pru ambulantën aty, thu u bo kiameti, pa ndodhë kurgjo hiç”, ka thënë ai.

Përplasjet kanë vazhduar në këtë komision i cili shoqërohej me diskutim për çështjen e kohës së raportimit të ministri Veliu. Ganimete Musliu nga Partia Demokratike të Kosovës, tha se anëtarët e LVV-së kanë ardhur me plan që ta dështojnë këtë mbledhje të komisionit.

Musliu: Unë jam duke u befasuar

“Po shihet qartë qysh në start, asnjëherë nuk e kemi filluar mbledhjen kështu. Nëse keni ardhur kryetare me projekt politik me dështua mbledhjen, tregona mos t’i marrim kohë as atyre vetës. Mirëpo të lutem shumë qartësoj rregullat…. Po shihet qartë tendenca e LVV-së me dështua mbledhjen. E dyta caktoja pesë minuta me raportua edhe ju lutem mos na humbi kohën tu u marrë mes vete. (19:16) Po dalim kaq të padijshëm në gjëra elementare, sa që unë jam duke u befasuar”, tha Musliu.

Selimi: Fol në vetën e parë

“Fol në vetën e parë”, i ka thënë Selimi.

Musliu: Qetësohu pije pak ujë

“Qetësohu pije pak ujë se të ndihmon, të ndihmon”, i është drejtuar Musliu.

Selimi ka insistuar që nuk guxon askush ta qet në votim se a duhet të vazhdoja raportimi i Veliut apo të raportojë një ditë tjetër. Një gjë të tillë i tha edhe kryetares së komisionit, Fatmire Mullhaxha-Kollqaku.

Pas 30 minutash debat, deputetët e PDK-sa, Elmi Reçica, Ganimete Musliu dhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha lëshuan mbledhjen pasi që iu pamundësua raportimi i ministrit vetëm 45 minuta, duke bërë që mbledhja e komisionit të përfundojë para kohës së paraparë./Tv Malisheva

Share.